Nishani: Prioritet reforma në drejtësi
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me Bashkëraportuesit për Shqipërinë në Këshillin e Evropës, Jonathan Evans dhe Andrej Hunko.
Gjatë takimit u diskutua lidhur me zhvillimet në reformat kyçe, të evidentuara edhe në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë në fund të 2014.
Presidenti Nishani informoi mbi hapat e hedhur deri më tani, veçanërisht në kuadër të reformës në drejtësi, duke e konsideruar atë përparësi të përparësive dhe çelës për suksesin e reformave në fusha të tjera. Ky proces kërkon një mekanizëm plotësues ligjor, vullnet të mirëfilltë politik, si dhe ndëshkimin me të njëjtin standard të elementëve të korruptuar dhe dëmtues të sistemit.
Kreu i Shtetit siguroi se mbetet i vendosur për të bërë çdo përpjekje për ta sjellë në trajektoren dhe shpejtësinë e duhur këtë proces, duke kërkuar angazhimin dhe përgjegjshmërinë maksimale nga të gjithë aktorët me peshë, pavarësisht ecurisë së deritanishme nën pritshmëritë dhe interesin publik.