Nishani: Reforma në drejtësi prioritare, e vetmja për sistem të pavarur

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Këshillin e Evropës, u takua edhe me Presidentin e ri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi.

Edhe në takimin me Presidentin e GjykatësRaimondi, Kreu i Shtetit shprehu keqardhjen për viktimat e atentatit terrorist në Bruksel, duke u solidarizuar me popullin dhe institucionet belge dhe ato evropiane.

Në këtë kuadër, Presidenti Nishani e përshëndeti rolin e GjEDNj, si promotore e demokracisë dhe lirisë në Evropë, të cilat po sfidohen sot në mënyrën më ekstreme nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kreu i Shtetit e siguroi zotin Raimondi për solidaritetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah aleatëve të saj në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më pas, Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe kontributin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë kontinentin evropian, si dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët evropianë të përfitojnë nga garancitë që i jep Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut në rast shkeljeje të të drejtave të tyre.

Kreu i Shtetit vlerësoi rezultatet e arritura në kuadër të reformës në sistemin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Gjykatës, si dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë për këtë reformë.

Presidenti i Republikës e siguroi Presidentin e Gjykatës Raimondi për angazhimin e Shqipërisë, si shtet palë në Konventë, për t’i njohur dhe garantuar çdo personi nën juridiksionin e vet të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë. Duke vlerësuar zgjidhjen që shumë qytetarë shqiptarë kanë gjetur në GjEDNj, Presidenti Nishani u shpreh se: “qytetarët shqiptarë besojnë shumë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë dhe është e angazhuar që në të ardhmen të realizojë zbatimin e Konventës (KEDNJ) në nivel kombëtar, në mënyrë të tillë që aplikantët të mos i drejtohen vetëm dhe në çdo rast GjEDNj-së, por të marrin zgjidhje nga institucionet e larta shqiptare të drejtësisë.

Kreu i Shtetit e informoi Raimondi mbi ecurinë e reformës në drejtësi, si dhe theksoi se kjo reformë është prioritare, pasi është e vetmja mundësi për të krijuar një sistem drejtësie, të pavarur, profesional, dhe të pakorruptuar. Presidenti Nishani shprehu besimin se pas opinionit të Komisionit të Venecias, forcat politike nuk duhet të humbin më kohë por duhet të veprojnë dhe punojnë për ndryshimet kushtetuese që do të sigurojnë ndërtimin e një sistemi drejtësie sipas parimit të kontrollit dhe balancës.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Nishani ia kushtoi çështjes së pronave dhe kompensimit të pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si një e drejtë fondamentale dhe një nga prioritetet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kreu i Shtetit e njohu zotin Raimondi me këndvështrimin e tij për ligjin e miratuar së fundmi nga Parlamenti shqiptar për kompensimin dhe trajtimin e pronës, si dhe evidentoi ankimimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se “përmes këtij ligji, është prekur standardi i vendosur përmes Kushtetutës dhe jurisprudencës së saj, por edhe standardi i vendosur nga Konventa dhe jurisprudenca e saj, si dhe janë anashkaluar edhe mesazhet e dhëna nga GjEDNj jo vetëm përmes vendimit pilot, por edhe çështjeve më të fundit të trajtuara prej saj”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?