Nishani sfidë Ramës. Dekreton shkarkimin, por jo emërimin e Ahmetajt
Marrëdhëniet e tensionuara mes Presidencës dhe Qeverisë janë shoqëruar sot me një tjetër përplasje. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me propozim të Kryeministrit ka dekretuar shkarkimin e ministrit të Financave Shkëlqim Çani, si dhe shkarkimin e ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Ajo që bie në sy në dekretet e kreut të shtetit është mungesa e emërimit në detyrën e re si ministër Financash të Arben Ahmetajt dhe të Milva Ekonomit në detyrën e Ministres së Ekonomisë.
Ligjërisht kreu i shtetit është brenda afatit kushtetues. Sipas nenit 98 të Kushtetutës kreu i shtetit ka 7 ditë afat për të dekretuar emërimin ose shkarkimin e një ministri. Por nëse u referohemi rasteve të mëparshme, si dekretimi dhe shkarkimi i ministrave kanë kaluar në grup nga kreu i shtetit.
Rastet e vonesave në dekretim nga kreu i shtetit kanë të bëjnë me verifikimin e figurës së një zyrtari që merr postin e ministrin. Por edhe ky agrumet nuk vlen në rastin e Ahmetajt, pasi procesi i verifikimit të figurës së tij është bërë në vitin 2013 kur mori postin e ministrit të Financave.
Duke parë replikat e dy ditëve të fundit mes Presidencës dhe Nishanit, bllokimi i ministrave shënon një tjetër tension mes dy institucioneve. Ministrat e rinj pritet të votoheshin nesër në seancën e Parlamentit. Nuk dihet nëse mazhoranca do të kalojë në votim nesër vetëm dekretet e shkarkimit, apo do pres dhe dekretet e emërimit të dy ministrave të rinj.
Neni 98 i Kushtetutës
1-Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
2-Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.
DEKRETET E SHKARKIMIT CANI
Presidenti Nishani dekreton shkarkimin e z. Shkëlqim Cani, ministër i Financave
D E K R E T PËR SHKARKIM MINISTRI
Në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j
Neni 1
Zoti Shkëlqim Cani, ministër i Financave, shkarkohet nga kjo detyrë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Tiranë, më 17 Shkurt 2016
PRESIDENTI I REPUBLIKËS BUJAR NISHANI
D E K R E T PËR SHKARKIM MINISTRIT AHMETAJ
Në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j
Neni 1
Zoti Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, shkarkohet nga kjo detyrë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 9426
Tiranë, më 17 Shkurt 2016
PRESIDENTI I REPUBLIKËS BUJAR NISHANI
KOHA JONË SONDAZH

