Nishani: Sot kemi një liri reale, le ta shfrytëzojmë maksimalisht
“Sot kemi një liri reale, prandaj le ta shfrytëzojmë atë në mënyrë maksimale”.
Një deklaratë të tillë, kreu i shtetit Bujar Nishani, e bëri pasi ka votuar paraditen e sotme në kuadrin e zgjedhjeve vendore, në shkollën “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet.
Duke bërë edhe një falënderim publik për gjithë qytetarët që menaxhojnë procesin zgjedhor në rangun vend, për kontributin që sipas tij ata japin në këtë ditë të veçantë për vendin.
“Pjesëmarrje masive, sepse sot të gjithë qytetarët, duke nisur që nga Presidenti i vendit, kanë të njëjtën fuqi përmes votës së lirë”, ishte një mesazh tjetër që kreu i shtetit dha në kuadrin e ditës së zgjedhjeve lokale.
“Ju siguroj që vota është e lirë dhe e fshehtë, askush nuk do t’i kontrollojë qytetarët se për kë do të votojnë, ata do të votojnë për atë që është më e mirë për ta dhe familjen e tyre”, shtoi gjithashtu kreu i shtetit.
Për të përfunduar me faktin se sot do ta ndjekë gjatë gjithë kohës prej rezidencës së tij mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke uruar që ai të shkojë sa më mbarë.