Nishani takohet me Ban Ki-moon

Presidenti Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në punimet e Sesionit të 71-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zhvilloi takime dypalëshe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotin Ban Ki-moon, me Presidentin e Republikës së Polonisë, zotin Andrzej Duda si dhe me Presidenten e Republikës së Kroacisë, zonjën Kolinda Grabar-Kitarovic.

Presidenti Nishani, në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e vlerësoi atë për lidershipin e treguar në iniciativat e ndërmarra nga Organizata gjatë drejtimit të tij, veçanërisht në ato që lidhen me klimën, axhendën për njerëzimin, si dhe planin e veprimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe me iniciativat tuaja ju ia keni dhënë këtë”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Presidenti Nishani evidentoi gjithashtu faktin se Shqipëria është tërësisht e angazhuar për zbatimin e këtyre iniciativave në nivel kombëtar, si dhe e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm edhe për rolin pro aktiv të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare dhe avancimin e të drejtave të njeriut.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në takimin me Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve dhe theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, i cili është ende larg pritshmërive dhe mundësive reale që kanë të dy vendet.

Gjithashtu, Presidenti Nishani e falenderoi homologun polak për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për marrjen e vendimit të hapjes së negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian.

Mes dy bashkëbiseduesve u fol edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes rajoneve evropiane, zhvillimet më të fundit në Bashkimin Evropian dhe krizën e refugjatëve, si dhe për mundësinë e mbështetjes së kandidaturave reciproke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Ndërsa në takimin me Presidenten e Republikës së Kroacisë, zonjën Kolinda Grabar-Kitarovic, Presidenti Nishani vlerësoi ndër të tjera edhe njëherë rolin pozitiv që Kroacia po luan në rajonin e Evropës Juglindore, si dhe shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për avokatinë që Presidentja Kitarovic dhe vendi i saj po i bëjnë vijimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht sfidave që po kalon vetë rajoni.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në mënyrë të veçantë, në nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, në funksion të rritjes së mëtejshme të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?