Nishani thirrje demokratëve: Mos bini pre e provokatorëve, PD në një proçes rizgjimi
Deklarata e nxjerrë nga Flamur Noka se Lulzim Basha ka thënë se qeveria e Berishës nga qenë ”llum”, bëri që ish-presidenti Bujar Nishani ti bëjë thirrje demokratëve që të mos bien pre e asnjë provokimi dhe provokatori. Ai shton se misioni i demokratëve sot është vetëm në interes të shpëtimit të PD. Po ashtu Nishani thekson se PD-ja është një proçes rizgjimi dhe këtu i referohet ”Foltores” së Sali Berishës.
Postimi i plotë
Partia Demokratike ka hyrë në një lëvizje dhe proçes rizgjimi dhe shprese. Ky proçes i vonuar por më i prituri është energji, vlerë, dinjitet e vullnet i qindra mijëra njerëzve të lirë që s’ka bir nëne që i merr peng.
I ftoj të gjithë demokratët, patriotët e ndershëm të këtij vendi, ata që as nuk shiten e as nuk blihen, të mos bien pre e asnjë provokimi dhe provokatori, të mos konsumojnë energji me keqdashës dhe të paguar me paratë e llumit të hajnisë dhe drogës.
Misioni i demokratëve sot është vetëm në interes të shpëtimit të PD nga rrjeta e zezë e merimagës ku e liga tenton me çdo forcë e me këdo të mundet, ta mbaj të lidhur peng.
E nesërmja e një PD-je, të lirë, të bashkuar, qytetare, moderne, e vitalizuar, do të jetë shërbimi më i i mirë për Shqipërinë dhe Interesin Kombëtar. Ajo parti ka mjaft eksperienca se si lihet pas e keqja, se si rezistohet, se si ringrihesh, se si fiton. Edhe një betejë tjetër me të ligën nuk është aspak keq, veçse shton peshën e historisë dhe eksperiencës.