Nishani uron Presidenten Jahjaga për 8-vjetorit të Pavarësisë
Presidenti i Republikës,Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në të cilin shkruhet:
“E nderuar Zonja Presidente,
Kremtimi i 8-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell Juve dhe nëpërmjet jush të gjithë shtetasve të Kosovës, urimet më të ngrohta e vëllazërore.
Përfitoj nga rasti që në këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për shtetasit e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi e kontribuesi për paqen në rajonin e Evropës Juglindore.
Ju siguroj se, Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha hapat e saj shtetndërtuese, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre tetë viteve pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e institucioneve dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
KOHA JONË SONDAZH

