Nishani-Veseli: Lehtësira sa më të mëdha mes dy shteteve tona
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli të shoqëruar nga tre Nënkryetarët e Parlamentit të Republikës së Kosovës; Xhavit Haliti (PDK), Sabri Hamiti (LDK) dhe Glauk Konjufca (VV).
Presidenti i Republikës vlerësoi lart konstituimin e Parlamentit të ri të Republikës së Kosovës, si dhe i uroi punë të mbarë dhe të suksesshme kësaj legjislature të re të zgjedhur nga votat e qytetarëve të Kosovës.
Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e parlametarit Veseli për afirmimin e një imazhi me vlera pozitive të Kosovës në qendrat e parlamentarizmit botëror në kuadër të diplomacisë parlamentare si dhe në trajtimin me maturi nga ana e Parlamentit të sfidave të brendshme që kalon Kosova.
Presidenti Nishani sugjeroi takime sa më të shpeshta të komisioneve të ndryshme parlamentare të dy vendeve tona për të kontribuar sa më shumë në përafrimin e legjislacionit në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, ekonomisë dhe në çdo fushë tjetër, në heqjen e të gjitha barrierave tregtare dhe ekonomike si dhe në lehtësimin sa më të madh të qarkullimit të lirë të mallrave mes të dy shteteve tona.
Presidenti shprehu qëndrimin e tij për rëndësinë e shfrytëzimit më efektiv të infrastrukturës për krijimin e një tregu më të madh ekonomik rajonal, duke punuar me pjekuri në tejkalimin e të gjitha sfidave që mund të dalin përpara duke pasur si busull interesin kombëtar në integrimin e ekonomive tona.
Presidenti Nishani theksoi se shqiptarët kudo që janë në trojet e tyre në Ballkan, janë faktor paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti jo vetëm për vendin e tyre, por për të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Presidenti i Republikës e garantoi zotin Veseli për mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli dhe të tre nënkryetarët e Parlamentit të Kosovës falënderuan Presidentin Nishani për kontributin e tij personal, dhe si President në ndihmën për konsolidimin dhe shtyrjen përpara të marrëdhënieve mes të dy vendeve tona, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës dhe institucioneve të saj në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

