Nishani viziton arbëreshët e Kalabrisë: Urë e fortë e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në ditën e parë të vizitës së tij në Kalabri vizitoi një sërë vendbanimesh të hershme arbëreshe ku u takua e përcolli mesazhe te të zgjedhurit e institucioneve qendrore e vendore, përfaqësues të institucioneve fetare e shoqërisë civile arbëreshe. Fillimisht Presidenti Nishani u ndal në Firmo, një ngulim arbëresh me tradita të hershme e ku, sikurse u shpreh Presidenti Nishani duhet të vijohet me mësimin e shqipes për fëmijët e brezat e rinj. Ndalesa e radhës ishte qendra e Eparkisë në Lungro, ku në një takim të ngrohtë e vëllazëror Kreu i Shtetit u prit nga Peshkopi Donato Oliverio, si dhe autoritetet qendrore e vendore të Prefekturës së Kozencës. Presidenti i Republikës nënvizoi pritjen e ngrohtë e vëllazërore që gjeti në Kalabri, dhe shprehu mirënjohjen e madhe për trashëgiminë shekullore që arbëreshët kanë ruajtur në shekuj. Ai vijoi më tej duke theksuar që arbëreshët e Italisë janë simbol i identitetit evropian të kombit shqiptar, dhe se shqiptarët kudo ndodhen sot, në Evropë, Amerikë apo Australinë e largët i janë mirënjohës trashëgimisë arbëreshe në shekuj. “Arbëreshët e Italisë”, theksoi Kreu i Shtetit “përmes figurave të shquara si Jeronim De Rada e Zef Serembe i kanë dhënë Evropës në kohën që jetuan e punuan atë çka janë shqiptarët. Arbëreshët janë dhe do të mbeten urë e fortë e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë. Të dëgjosh të flitet shqip sot në Kalabri është si të jesh në Arbërinë e dikurshme”, u shpreh mes të tjerash Presidenti Nishani. “Fjalët e arbëreshëve dalin nga zemra e zemra na bashkon”, tha Kreu i Shtetit në fjalët e tij drejtuar përfaqësuesve të klerit gjatë takimit në Lungro. Takimet vijuan në mjediset e komunës së Lungros të tejmbushur me banorë të cilët përcollën me duartrokitje e këngë arbëreshe fjalën e Presidentit të Republikës Bujar Nishani si dhe ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh të këngëtares Anna Stratigò. Vizita e Kreut të Shtetit vijoi në Frascineto ku këngët e vallet arbëreshe kishin pushtuar rrugët e sheshin e qytezës. Mes duartrokitjeve të shumta Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e institucioneve qendrore e vendore por edhe të vetë banorëve në ruajtjen e çuarjen përpara të vlerave më të mira të traditave të hershme. Presidenti i Republikës falënderoi autoritetet italiane për krijimin e kushteve për integrimin e plotë edhe të brezit të ri të emigrantëve pas viteve 90të të cilët sot kanë një vend të denjë në zhvillimin e prosperitetin e shoqërisë italiane. “Shqipëria dhe Italia nuk janë vetëm vende fqinje, por edhe dy vende mike të cilat kanë shumë mundësi të vijojnë në rrugën e përbashkët të bashkëpunimit e forcimit të lidhjeve mes tyre”, u shpreh Kreu i Shtetit.