Nishani vlerëson me Dekoratën “Nderi i Kombit” anëtarin e Asamblesë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj
Në një atmosferë mikpritëse, të ngrohtë e miqësore, në praninë e përfaqësuesve politikë të udhëhequr nga Presidenti i Bronksit Ruben Dias Jr., të të zgjedhurve vendorë nga një milion e katërqind mijë votues në Asamblenë e Shtetit të Nju-Jorkut si dhe në institucionet e tjera, klerikë e një numër të madh pjesëtarësh të bashkësisë shqiptare, u zhvillua veprimtaria solemne, gjatë së cilës Kreu i Shtetit shqiptar i akordoi zotit Mark Gjonaj Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të merituar dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur e shembullin e tij të rrallë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Gjatë kësaj veprimtarie, Presidenti Nishani u takua dhe bashkëbisedoi me politikanë dhe drejtues vendorë të Bronksit dhe të Shtetit të Nju-Jorkut si dhe me bashkatdhetarë të shumtë, të cilët i dhuruan një simbol shumë domethënës – shqiponjën krahëhapur me motivacionin: “Për përkushtimin dhe përkujdesjen ndaj të gjithë shqiptarëve në Nju-Jork si dhe anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Në fjalën e tij me këtë rast festiv Presidenti Nishani vuri në dukje me krenari se: “Këtu shihet e pasqyruar dhe e gërshetuar më së miri veçantia e lidhjes mes të Amerikës dhe Shqipërisë, lidhje kjo e hershme. Mes shqiptarëve dhe Amerikës ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë një lidhje e veçantë komplekse dhe e pakushtëzuar. E nisur para më shumë së një shekulli, atëherë kur viheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar dhe e forcuar ndër vite, edhe pse në periudha të gjata kohe e refuzuar nga ideologjia dhe absurditeti i regjimit komunist.”
“Për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, Amerika historikisht ka qenë një aleat i dëshiruar, ndërsa sot është aleati strategjik jo më i dëshiruar, por i realizuar. Aleanca dhe partneriteti mes Shqipërisë dhe Amerikës është e pakushtëzuar dhe e arritur ashtu siç kanë ëndërruar burrështetasit tanë të parë, ashtu siç e kanë ëndërruar breza të tërë shqiptarësh këtu në Amerikë. Shqipëria dhe Amerika natyrshëm dhe komodë janë në këtë aleancë dhe partneritet, edhe pse larg njëra-tjetrës fizikisht, në momente historike për shqiptarët kemi pasur mbështetjen e Amerikës. Kemi pasur mbështetjen e Amerikës edhe atëherë kur SHBA-të nuk na kanë njohur sa duhet si popull, por edhe në ditët e sotme kur na njohin dhe përballen së bashku me ne për të mirë dhe të keq. Kjo përkrahje dhe kjo lidhje në mes të Amerikës dhe Shqipërisë nuk është dhe nuk ka qenë e rastësishme. Nuk ka qenë e rastësishme as në fillim të shekullit të kaluar kur Shqipëria sapo ishte shpallur shtet, as në fund të shekullit kur Amerika vendosi të ndalojë sulmin e organizuar për shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë. Nuk është e rastësishme as sot kur çdo ditë është në krahun tonë për të na përkrahur, mbështetur dhe udhëzuar në rrugën tonë integruese euroatlantike, por edhe të forcimit të lirisë dhe demokracisë sonë.” – vijoi Kreu i Shtetit shqiptar.
“Në të gjitha këto faza faktor vendimtar ka qenë dhe është Diaspora jonë këtu në Amerikë. Në fillim të shekullit kjo Diasporë ishte më e vogël në numër e ndoshta kishte më pak miq në hierarkinë e lartë shtetërore, por ishte e qartë, këmbëngulëse dhe e përqendruar në punën e saj për të lidhur dy kombet tona dhe për të fituar vëmendjen e SHBA-ve. Ky insistim i tyre ishte i pazakontë për kohën, por vizionar dhe i bazuar në atë se çfarë ka përfaqësuar gjithmonë Amerika si vend i mundësive dhe i lirisë. Ky vizion ndër breza është forcuar, është rritur dhe kultivuar me këmbëngulje dhe me durim.” – theksoi Presidenti Nishani.
“Sot Diaspora shqiptare në Amerikë është e madhe në numër, por dhe më përmbajtësore. Shqiptarët në Amerikë kanë jo vetëm një aleat dhe partner strategjikë, por kanë edhe një histori të përbashkët marrëdhëniesh të ndërtuara mbi vlerat më të mira që përfaqësojnë dy vendet tona. Siç mund ta shihni edhe këtu, shqiptarët kanë edhe më shumë miq amerikanë, gëzojnë respektin e Amerikës dhe amerikanëve. Ne jemi fizikisht larg, por ajo që ka bërë që të kemi gjithmonë edhe më shumë miq në Amerikë, gjithmonë e më të fuqishme aleancën dhe partneritetin tonë, sigurisht që janë mbi të gjitha të rinjtë tanë. Të rinjtë shqiptaro-amerikanë janë ata, të cilët me arritjet e tyre personale por edhe grupore e kanë bërë Shqipërinë të pranishme gjithkund ku ata kanë qenë. Të rinjtë tanë ndoshta edhe pa dashur janë shndërruar në ambasadorë të popullit shqiptar, ambasadorë të prezantimit të kulturës së lashtë të tij, ambasadorë të prezantimit të vlerave më të mira të tij, dhe veçanërisht ambasadorë të prezantimit të shpirtit bashkëpunues dhe paqësor të shqiptarëve.”
“Lidhjet shqiptaro-amerikanë siç është dëshmuar ndër vite do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej edhe atëherë kur ndonjëri nuk do të punojë sa duhet që ato të rriten dhe forcohen. Do të vazhdojnë të thellohen lidhjet tona veçanërisht për vizionin mbi të cilin janë ndërtuar, do të vazhdojnë të thellohen deri atëherë kur të ekzistojë ideja e lirisë, ideja e së mirës.” – u shpreh Presidenti.
“Në emër të Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam kënaqësinë të dekoroj një personalitet të nderuar, i cili gërsheton më së miri të gjitha ato që i preka më lart. Zoti Mark Gjonaj, sot është një i zgjedhur me votën tuaj, me votën e amerikanëve në Asamblenë e Nju-Jorkut. Zoti Gjonaj është pasqyrimi më i mirë i gjithë asaj që shqiptarët e Amerikës kanë arritur, jo vetëm në biznes, shkollim, kulturë, shkencë, por edhe në përfaqësim institucional dhe politik.
Uroj nga zemra që të kemi sa më shumë shqiptaro-amerikanë, të cilët na bëjnë krenarë për lidhjet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!” – përfundoi fjalën Presidenti i Republikës mes duartrokitjesh të zjarrta të të pranishmëve të shumtë, kryesisht banorë rishtarë apo të vjetër të Bronksit: shqiptarë, amerikanë, italianë, irlandezë, hebrenj si dhe amerikano-jugorë.