Nisja e sesionit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Na presin reforma të rëndësishme
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në fjalën e saj në nisje të sesionit të ri parlamentar tha se ky do të jetë një sesion i ngjeshur me reforma të rëndësishme. Po ashtu Nikolla ceku rolin që do të ketë Kuvendi në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
“Nisim sesionit e tretë të legjislaturës dhe ju uroj të gjithë sesion produktiv në përmbushje të misionit dhe detyrave tona. Sesionin e kaluar Shqipëria mori suksesin e merituar të çeljes së negociatave. Kuvendi ka meritën e pazëvendësueshme për këtë. Veprimtaria legjislative ka qenë shumë produktive.
Gjatë sesionit ngritëm dy komisione të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Administrative Territoriale. Gjithashtu mbështetëm vijimin e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi. Opozita gëzoi të gjithë aksesin e nevojshëm për kontrollin e qeverisë. Detyrat kryesore të Kuvendit gjatë negociatave do të jenë përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.
Ne do të zgjerojmë mbështetjen për procesin, duke bashkëpunuar me Parlamentin Europian dhe parlamentet e tjera të vendeve anëtare. Detyrat kërkojnë thellimin e njohurive mbi legjislacionit. Roli i Kuvendit do të rritet gjatë procesit të negociatave”, tha Nikolla.