NJË BURRË MES NJË VARKE DHE NJË ANIJE

Nga Ben Blushi-

E pashë këtë burrë në plazhin e Vlorës.
Ai po ngiste bicikletën e tij në rërë dhe pasi e ndoqa një copë herë me sy, kuptova se nuk po shkonte asgjëkundi. Bënte rrathë mbi rërë, nisej, kthehej, përkundej sikur do binte, pastaj ndalonte dhe nisej prapë. Bicikletën e drejtonin mendimet e tij.
Bicikleta ishte në plazh, ndërsa burri ishte diku tjetër. Ndoshta në një spital ku ka një prind, ndoshta në një punë nga ku e kanë hequr, ndoshta në një shkollë që nuk e paguan dot, ndoshta në një gjykatë ku i kanë marrë një të drejtë, ose ndoshta në një shtëpi ku nuk kthehet dot më.
Bicikleta e tij është bicikleta e jetës.
Ne përpiqemi gjithë kohën të jemi në ekuilibër me veten dhe me botën,përpiqemi që rrathët e jetës sonë të jenë sa më të mëdhenj dhe që ata të zgjerohen cdo ditë duke zvogëluar rrathët e njerëzve të tjerë.
Në cdo rast përpiqemi të shkojmë nga një destinacion në një tjetër. Nga një breg në një tjetër. Nga një varkë në një anije. Sic është rasti i këtij burri me bicikletë në plazh.
Ai duket sikur është nisur nga një varkë e vogël për të kapur një anije të madhe.
Nuk e di sa do tja arrijë.
Kam frikë se jo.
Në fund të fundit kjo është bicikleta e jetës. Ajo noton mbi dallgë derisa mbytet bashkë me ne.

SHKARKO APP