Një drekë për Ramën 8 mijë euro deklaron ish-kandidati i PS
Ish-kandidati i Partisë Socialiste për Lezhën, Eduart Ndocaj publikoi sot disa foto, ku komenton rreth një dreke me kryeministrin Edi Rama që nuk i kushtoi pak, por plot 8 mijë euro. Zbardhet kështu skema e kontributit të ish-kandidatëve në Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve 2013.
Dreka është organizuar gjatë një vizitë në Milano të Italisë. Ndocaj komenton gjithashtu edhe se Rama është “një bukëshkalë dhe njeriu më i lig’’. Drekën 8 mijë euroshe, Ndocaj e cilëson vetëm majën e ajsbergut të kontributit të tij në PS. Në foto duken personazhe të tjerë të PS-së si Arben Ahmetaj e Blendi Klosi.
“Koha ikën, por faktet mbeten fakte. Njeriu më i ligë për ne veriorët pas atij që shkel amanetin është bukëshkali, ai që i hanë bukën dikujt dhe pastaj e pret në besë pas shpine. Kjo mund të thuhet për Ramën dhe drejtuesit kryesorë të PS-së. Në këto foto janë edhe njerëzit që i rrinin mbrapa në atë kohë Ramës, ai i quante stafi i tij, por shumica prej tyre nuk kishin as lekë për bileta. Kjo drekë e ofruar nga unë (vëllezërit Ndocaj) ka kushtuar 8 mijë euro. Ky është vetëm ajsbergu i kontributit tim për PS-në e Ramën, të cilën dolën bukëshkelës”, ka deklaruar Ndocaj.
Lezha është kthyer edhe njëherë në një zonë të nxehtë debatesh në lidhje me zgjedhjet. Ndocaj ka deklaruar më parë se PS-ja i ka kërkuar sponsorizim që t’i bëjë ballë LSI-së në zgjedhjet e kaluara parlamentare, e cila sipas tij kishte nisur të blinte vota me thaës me para. Sipas ish-kandidatit të PS-së Ndocaj, për këtë kishte dijeni edhe Mimi Kodheli, e cila kishte përfituar nga shpenzimet e Ndocajt.
Por dega e PS-së së Lezhës e ka sulmuar ish-kandidatin Ndocaj duke deklaruar se për faturat e tij mund të futet në sistemin bankar brenda e jashtë vendit duke parë detaje. PS Lezhë nuk mohon kontributin e Ndocajt por mohon kategorikisht se s'ka qenë asnjëherë anëtar i PS-së.
“Ne nuk e dimë saktësisht se me cilen parti është aktualisht zoti Ndocaj, por deklarojmë me përgjegjësi të plote, se ai asnjëherë nuk ka qene anëtar i Partisë Socialiste. Pavarësisht kesaj, ne i jemi mirënjohës kontributit të tij dhe shumë mbështesve tanë. Por Partia Socialiste Lezhe i bën me dije Eduart Ndocajt, se ajo që ne na bashkon në familjen tonë të madhe socialiste është ideali dhe programi i saj dhe jo faturat…”, deklaron PS-ja e Lezhës. Sipas tyre, Ndocaj duhet të jetë i nderuar që ka qenë pjesë e listës së kandidatëve por PS-ja nuk ka kërkuar ndonjëherë ndonjë suport financiar.
“Për sa i përket çështjeve të faturave mund të futemi në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit, që te shikojmë detaje për këdo pretendues. Ai duhet të jetë i nderuar që i është dhënë mundësia historike të jetë pjese e listës së kandidatëve për deputet të Partise Socialiste. Partia Socialiste as nuk ka dijeni dhe as nuk ka kërkuar ndonjëherë një suport të tillë financiar, suporti inegzistent i pretenduar nga kandidati Ndocaj është tërësisht përrallë në prag fushate.”, deklaron dega e PS-së në Lezhë.
KOHA JONË SONDAZH

