Një fushatë pa emrin e tij në letër, Berisha: Rama ka frikë nga unë. Pas zgjedhjeve lokale, ka zgjedhje parlamentare
“Një fushatë fitore për Berishën që ka elektrizuar vendin nga jugu në veri, pavarësisht mungesës së emrit të tij në listë”, e ka cilësuar lideri historik demokrat fushatën për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Berisha tha se Rama ka frikë të tmerrshme nga emri i tij.
“Një fushatë në të cilën për herë të parë që nga ‘91 mblidhen njerëz të idealeve demokratike pa asnjë lidhje me narkoshtetin përveç bashkisë Shkodër që shkëlqen më performancën e saj, krahasuar me të gjitha bashkitë e tjera moniste të vendit. Një fushatë që zhvillohet pa emrin në letra të Sali Berishës për shkak të frikës së tmerrshme që emri i tij i kall Edi Ramës. Kjo dëshmi e një frike të pashërueshme të njeriut që mban të gjitha pushtet, që urdhëron gjykatësit të ekzekutojë të drejtën në sallën e gjyqit, njëlloj si ekip pushkatimi që urdhëron nëpunësit të shkelmojnë ligjin vetëm se në këtë mënyrë mendon se do t’i shpëtojë disfatës së tmerrshme që e pret në mënyrë të pashmangshme”, tha Berisha për ”A2cnn”.
Edhe pse garon në siglën e koalicionit “Bashkë fitojmë”, Berisha thekson se nuk do të ketë forcë në botë t’i rrëmbejë fitoren PD-së. Duke e cilësuar si fushatën më të veçantë të jetës së tij, Berisha foli për kontrastin e madh të kandidatëve të tij me ata socialistë.
”Kjo është fushata më e veçantë e jetës sime se kaloj nga salla në sallë nga sheshi në shesh për të paraqitur kandidatë të lirë të qytetarëve të një procesi kur të përdorur më parë dhe kontrasti është si drita me terrin, si dita me natën. Kandidatët tanë vijnë nga një proces transparent dhe ndaj tyre nuk është paraqitur asnjë akuzë e veçantë e faktuar.
Siç keni konstatuar në çdo shesh ka një thirrje konstante; hajde ballafaqohemi, hajeni në debat dhe përballë kanë kandidatët që në mënyrë absolute përveç njërit, asnjë socialist shqiptar, asnjë forum i PS në degët e saj në Shqipëri nuk i ka votuar. Kanë dalë të gjithë nga sirtarët e Ramës. Kanë dalë të gjithë si përfaqësues të trafikantëve të drogës dhe krimit në zonat e tyre. Prandaj PS-së dhe degëve iu hoq vota me vendim të Ramës. Këta kanë dalë krejtësisht nga Rama, këta nuk pranojnë asnjë prej tyre debat me rivalin”,-tha më tej Berisha.
Zgjedhje të përgjithshme pas zgjedhjeve lokale dhe para atyre të parashikuara në 2025 paralajmëron Berisha për të larguar Edi Ramën nga pushteti. “Toleranca ndaj tij për shkelmimin e kushtetutës do të jetë zero. Pas këtyre zgjedhjeve do të ketë zgjedhje të përgjithshme, do t’i japim duart Edi Ramës, se Rama me qëndrimet e tij antikushtetuese nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë në pushtet”.