Një hap më afër BE, Orban i jep Ramës datën e negociatave të Shqipërisë: Më 15 tetor hapim kapitujt e parë
Shqipëria më 15 tetor do të ulet në tryezë me BE në Luksemburg, kjo për të zyrtarizuar hapjen e kapitujve të parë të negociatave, të njohur si themelorët.
Data u konfimua nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Bashkimit Europian gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Edi Rama në Budapest, ku u takua me homologun e tij. Victor Orban në konferencën e përbashkët për shtyp nuk e fshehu faktin që ky vendim për Tiranën zyrtare vjen pikërisht gjatë Presidencën Hungareze të unionit.
”Javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grup kapitulli i pare. Jemi shumë krenar që ky moment, vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka edhe Presidencën e Këshillit të BE-së. Kura më e mirë për të gjithë është që Bashkimi Europian t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku tek ne, në familjen europiane”, tha Orban.
Para se ekipi shqiptar të zhvillojë takimin e dytë me zyrtarët e BE për integrimin, Kryeministri Rama do të ketë një ndalesë në Gjermani për të marrë pjesë në takimin e 10 të Procesit të Berlinit me 14 tetor.
-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma e administratës publike
-Kapitulli 23-Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Kapitulli 24-Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Kapitulli 5-Prokurimi publik
-Kapitulli 18-Statistikat
-Kapitulli 32-Kontrolli financiar
Kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme. Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE u dorëzua më 24 prill 2009. Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.