Një muaj para zgjedhjeve ndryshon ligji për konfiskimet, PS u jep më shumë pushtet bankave
Një muaj para zgjedhjeve dhe kur situata politike është e tensionuar mazhoranca ka vendosur të ndryshojë një tjetër ligj që ka të bëjë me drejtësinë, por dhe që favorizon grupe të caktuara bankare.
Këtë herë ndërhyrjet janë parashikuar në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar , trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.
Propozimi vjen nga deputeti Adnor Shameti, drafti i të cilit po ashtu është përfshirë në urgjencë në kalendarin e punimeve të parlamentit.
Ndryshimet e paraqitura, i japin më shumë hapësirë bankave private, të cilat në rastin e konfiskimit të pronave, kthehen në pronare të objektit që kanë dhënë kredi.
Në këtë mënyrë merret një tjetër vendim që i heq mundësinë shtetit që të bëhet ai përfituesi kryesor.
Në fakt jo pak herë në këto katër vite janë hedhur akuza se në kuvend miratohen ligje që kanë si qëllim mbështetjen e subjekteve apo individëve të caktuar
Janë 13 nene që kërkohet të ndryshohen me urgjencë dhe që kanë të bëjnë pikërisht me heqjen e mundësisë që buxheti i shtetit të përfitojë nga asetet e konfiskuara.
Në relacionin shoqërues argumentohet se kjo bëhet me qëllim garantimin e të drejtave të bankave.
Nga ana tjetër, ekspertët i konsiderojnë këto ndryshime si një rrugë për të favorizuar grupe të caktuara në prag të fushatës.
/Ora News