Një muaj pas tërmetit, Basha: Qeveria dështoi, shqiptarët ende në çadra

Një muaj pas tërmetit vdekjeprurës, kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se gjendja e sotme është dëshmi e dështimit të qeverisë në menaxhimin e situatës. Basha akuzon se qeveria nuk bën asnjë përpjekje për tu ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara. Sipas tij, shteti duhet të bëjë dedikimin e fondeve për strehimin e banorëve, pasi edne shqiptarët janë në çadra. ”Propaganda e qeverisë nuk e mbush dot barkun e fëmijëve, nuk i ngroh dot në këtë dimër të ftohtë, nuk e heq dot rrezikun e banorëve që po jetojnë në shtëpi të dëmtuara e të rrezikshme, në pamundësi të një strehe të sigurt Situata po përkeqësohet ditë për ditë. Koha nuk pret. Duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët. Kjo është detyrë e shtetit, është përgjegjësi e qeverisë. Nuk mund të sakrifikohen qytetarët, jeta dhe shëndeti i tyre për milionat e oligarkëve dhe aferat e rradhës korruptive”.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës

Gjendja e sotme e zonave të dëmtuara nga tërmeti, një muaj më pas është dëshmi e dështimit të qeverisë në menaxhimin e situatës. Qytetarë, fëmijë e të moshuar që kalojnë netët e ftohta jashtë, pa ngrohje, pa ujë e me ushqime të pakta të ofruara nga vullnetarë. Kushtet e mjerueshme kanë shkaktuar probleme shendetësore tek qytetarët duke e rënduar situatën. Familjarët nuk dinë nëse banesat e tyre jane apo jo të banueshme. Në shumicën e rasteve askush nuk ka shkuar të shohë e jo më vlerësojë dëmet, në shumë raste vlerësimi është kontradiktor, një herë banesa është vlerësuar e pabanueshme e njëherë e banueshme.

Kryefamiljarë, që marrin përsipër rrezikun duke futur familjarët në shtëpi të dëmtuara pasi nuk kanë mundësi për strehim, jetojnë me ankthin dhe frikën e lëkundjes së rradhës. Ketë situate e pashë edhe në Tarinë, Mallkuç, Bubq, ndërsa banorët bashkëjetojnë me gërmadhat e mbetura nga tërmeti dhe frikën e pasigurinë për të nesërmen. Ata që janë në çadra të papërshtatshmë për kohën e ftohtë e me reshje i ndjejnë të ftohtin dhe lagështirën në palcë.

Qeveria ka dështuar dhe korrupsioni i ka lidhur sytë dhe veshët që të shohë e të dëgjojë qytetarët. Nëse 150 milionë dollarët që shkojnë në xhepat e oligarkëve, do tu viheshin në dispozicion njerëzve në nevojë, do të ishin blerë kontenierë të përshtatshëm për strehimin e banorëve, dhe do të kishte nisur procesi i rindërtimit dhe riparimit të shtëpive të dëmtuara.

Paratë tu jepeshin në dorë qytetarëve ne zonat rurale për të nisur rindërtimin, duke shmangur tenderat korruptivë. Propaganda e qeverisë nuk e mbush dot barkun e fëmijëve, nuk i ngroh dot në këtë dimër të ftohtë, nuk e heq dot rrezikun e banorëve që po jetojnë në shtëpi të dëmtuara e të rrezikshme, në pamundësi të një strehe të sigurt Situata po përkeqësohet ditë për ditë. Koha nuk pret. Duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët. Kjo është detyrë e shtetit, është përgjegjësi e qeverisë. Nuk mund të sakrifikohen qytetarët, jeta dhe shëndeti i tyre për milionat e oligarkëve dhe aferat e rradhës korruptive.

SHKARKO APP