”Një pjesë e madhe prej nesh do të preken, 80% nuk ndjejnë asgjë”, Rama: Me apo pa masa, koronavirusi do të shpërndahet në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama në një lidhje live për emisionin ”Opinion” ka thënë se koronavirusi do të shpërndahet në Shqipëri dhe një pjesë e madhe do të preken.
Rama tha se nga masat qoftë dhe ekstreme nuk mund të ndalin përhapjen e koronavirusit, por ka siguruar se shumë shqiptarë do të preken dhe 80% nuk do e marrin vesh fare dhe do e kalojnë si grip me disa ethe. Kurse nga 20% tjetër vetëm një pjesë e vogël do të bëhen për spital.
Ai shtoi se me masat synohet që t’i jepet kohë sistemit shëndetësor të përballojë intensitetin e koronavirusit që njëkohësisht synohet të ulet. Po ashtu Rama thotë se synohet që me masat drastike që sipas tij janë marrë në kohë t’i jepet kohë rritjes së temperaturave që sipas ekspertëve do të dobësojnë përhapjen e koronavirusit.
”Faktikisht të gjitha vendet nuk kanë shumë zgjedhje sepse rruga është e njëjta. Ajo që ndryshon është intensiteti i masave pas momentit të shfaqjes.
Kemi zgjedhur një plan që është besoj unë i mirëmenduar dhe përshkallëzimi i masave është i domosdoshëm.
Ne dhe askush në asnjë vend nuk mund të ndalë as arritjen dhe as përhapjen. Përmes masave ne mund ta ngadalësojmë përhapjen, mund të garantojmë qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor dhe nga ana tjetër mund të fitojmë kohë se kanë të drejtë ekspertët që me rritjen e temperaturave koronavirusi do të dobësohet.
Jo, ne kemi vepruar në kohën e duhur sepse askush në asnjë rast nuk ka reaguar me masa drastike përpara shfaqjes së virusit.
Masat drastike përpara shfaqjes, se do vinte nga Kina, apo erdhi nga Italia do godiste ekonominë.
Nëse mbyllja e kufijve do të ndalonte nga një vend hyrjen e koronavirusit atëhere as murtaja nuk e ndali në Mesjetë përhapjen në Europë.
Asnjë vend nuk mbylli kufijtë pasi të shfaqej koronavirusi në vendin e vet. Do t’ju ftoja të gjithëve që kur jepni shifra apo të dhëna lidhur me këtë epidemi që ështën jë luftë e vërtetë pasi vetëm në luftë, e thatë që ç’ka ndodhi me Amerikën dje s’kishte ndodhur që nga lufta. Mos krijojmë keqkuptime, dhe mos bëjmë shifra që nuk kanë kuptim.
Ne nuk themi që jemi më të zotë se Italia, kemi për detyrë të bëjmë analizat pse i ndodhi Italisë. Si mund të kishte qenë më e përmbajtur vala e rasteve që erdhën përnjëherësh.
Ka dy kurba që janë bërë publike dhe që i referohen mënyrës si sillet virusi në përpjekjen për t’u shtrirë në një territor në raport se si vendosen masat. Aty ku masat kanë qenë të përshkallëzuara dhe aty ku njerëzit kanë bashkëpunuar më mirë atëhere kurba ka qenë më e butë. Kina i vendosi masat drastike kur kurba kishte hipur shumë lart. U vendosën kur epidemia shpërtheu në mënyrë shumë agresive dhe të shpërndarë. Ajo që po bëjmë ne është që po vendosim masat kur epidemia nuk ka shpërthyer.
Virusi ka për t’u shpërndarë ku ka për t’u shpërndara, me masa apo pa masa. Nuk është e vërtetë. Kancelarja gjermane dje tha që 70% e popullit gjerman ka për t’u prekur.
Nuk po vjen një tank por kështu çështja është që nëpërmjet masave ne ulim intensitetin e shpërndarjeve, ne ulim numrin e rasteve që janë për spital dhe mbajmë ekuilibrin në sistemin shëndetësor.
Nga ana tjetër duhet të përsëritet, vërtet që virusi prek si një virus gripal, prek shumë por 80% e atyre që preken nuk ndjejnë asgjë, nuk kanë asnjë shenjë.
Edhe njëherë tjetër nuk ka skenar që mund ta bëjë njeriu që mund të ndalojë shpërndarjen. Këtu nuk është kjo ëçështje. çështja është që sa masat do ngadalësojnë shpërndarjen. Dhe t’i japin kohë sistemit për të trajtuar ata që janë për spital. Ai 80% do e kalojnë si grip me disa siklete, me ethe.
Në atë 20% të këtyre të dytëve ka një kurbë tjetër që pjesa dërrmuese, janë mbi moshën 65 vjeç. Vërtet që kjo epidemi merr jetë që janë në masën e tyre më të madhe në një mesatare të lartë moshe. Asnjë i ri, asnjë e re, askush prej nesh nuk duhet t’ja lejojmë që meqë kjo nuk na bën gjë ne mos mbrohemi pas mund të bëhemi shkak që prej nesh të goditen të tjerët dhe kontribuojnë në këtë.
Mua më kujtohet shumë mirë kur ra tërmeti edhe ndërkohë që ne përcillmim njerëzit në varreza, ata që u larguan dhe për të lehtësuar ata që humbën në media flitej për buxhete.
Ne jemi gati për ta përballuar këtë luftë as më shumë as më pak se një vend tjetër. Nga më i miri tek më i pak i lëvdueshmi.
Shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri nuk do i mungojë asgjë nga ato që do të gjenin në vend tjetër.
Një masë e madhe prej nesh do të preken, s’do të thotë asgjë pasi 80% nuk do e marrin vesh fare.
Thënë kjo duhet pasur parasysh që as Italia nuk i ka mbyllur aktivitetet prodhuese. Nëse në këto aktivitete prodhuese do të marrin masat e sigurisë, elementare por që janë garantuese nuk ka asnjë diferencë në raport me prekjen.”- tha Rama.