Një arberesh kryeministër. Anthony Albanese fiton zgjedhjet në Australi
Anthony Albanese do të jetë kryeministri i ardhshëm i Australisë, sipas parashikimit të tre mediave kryesore në vend.
Sipas CNN, Korporata Australiane e Transmetimeve, 7 News dhe Sky News Australia projektuan rezultatet, ndërsa votat janë ende duke u numëruar.
Asnjë rrjet nuk ka parashikuar ende që laburistët të fitojnë një shumicë prej 76mandatesh, megjithatë mediat besojnë se Koalicioni Liberal-National i Scott Morrison nuk ka një rrugë drejt qeverisë së shumicës apo pakicës.
Përveç mbiemrit, a ka Albanese prejardhje shqiptare?
Anthony Albanese është i biri i Carlo Abanese-s nga Barletta e Italisë dhe Maryanne Ellery, australiane me prejardhje irlandeze.
Qyteza Barleta shtrihet në jug të Italisë, në rajonin Apulia. Sipas faqes greke, “Greek City Times”, në Apulia jeton një komunitet i madh i arbëreshëve. Besohet se atje jetojnë rreth 100.000 arbëreshë dhe se nga ky komunitet e ka prejardhjen edhe babai i politikanit australian, që ka gjasa të mira për t’u bërë kryeministër.
Një shenjë e fuqishme për prejardhje arbëreshe është mbiemri “Albanese”, që nga italishtja në gjuhën shqipe do të thotë “shqiptar”.
Arbëreshët janë pasardhës të refugjatëve shqiptarë, të cilët janë larguar nga trojet e veta në Ballkan dhe janë vendosur në pjesët jugore të Italisë në Epokën e Mesjetës, pas pushtimit osman të një pjese të madhe të Evropës.