Një tifozeri që meritonte më shumë se një humbje dinjitoze

Nga Albert Vataj

Ne humbëm përballë Italisë 2-1, në sfidën e parë të Grubit B, në Euro 2024. Humbëm denjësisht!

Kjo vlen për ata që luajtën dhe dhanë maksimumin e tyre në fushë, gjithashtu për stafin teknik dhe organizatorët e përfaqësimit të Shqipërisë në Euro 2024, dhe kurrsesi jo, për ata që u shkulën nga çdo skaj i botës për të shkuar në Gjermani, në Dortmund, për të qenë zë, zemër dhe shpirt në sfidën futbollistike të mbrëmjes së 15 qershorit 2024.

Tifozeria tregoi jo vetëm qytetari dhe emancipim në zemër të Evropës, por ajo na dhuroi një emocion të papërshkrueshëm, na ndezi një ndjenjë e paimagjinueshme krenarie dhe mburrjeje, na tregoi se deri ku mbërrijnë zemrat për triumf dhe dëshira për fitore, na dhuroi atë që nuk do të mund të na dhuronte asnjë arritje, na tregoi se ne meritojmë të jemi krenar se jemi shqiptarë.

E përjetuam fuqishëm këtë ndjenjë përfaqësimi; ne që i pamë dhe i përjetuam nga ekranet e TV-ve, nga rrjetet sociale, fotot e panumërta, nga lajmet që vërshuan si një përmbytje Kuq e Zi nëpër portale, por më së shumti ky zjarr gjëmonte në kraharorin e atyre që bënë këtë sakrificë, shumë prej të cilëve mbi mundësitë, për të qenë aty ku i thërriste shpirti dhe ndjenja kombëtare.

Tifozeria nuk është vetëm sprovë e guximit dhe sakrificës, por edhe gatishmëria e gjithë kësaj shqiptarie, e këtij vullneti nxitës dhe inkurajues, për të qenë me mish e me shpirt, me zë dhe me zemër, aty ku dëshira për fitore është me e rëndësishme se çdo pamundësi, me të cilën duhet të ndeshemi të gjithë.

Ne duhet të fitonim me çdo kusht.

Përballë Italisë kampione do ta kishte vështirë çdo ekip, por Shqipërisë i duhej të bënte mrekulli në mbrëmjen e 15 qershorit në Dortmund. Kjo nuk ndodhi, edhe pse të gjithë besuan se Zoti do të ishte me ne këtë mbrëmje, do të ishte me mijërat e tifozëve të ardhur nga gjithë bota, për të qenë mbështetja, shpirti dhe zemra, e kombëtares shqiptare.

Siç edhe e ndoqëm me “zemër në dorë” për mbi 90 minuta, të kësaj sfide futbollistike, zjarri i shpirtit të tifozerisë e mbajti të pashuar diellin e shpresës dhe besimit për fitore, dhe humbja na trishtoi, na përloti, na dhëmbi shumë, por nuk na lëkundi në besimin se ka ende shpresë në sfidën Euro 2024 që sapo ka nisur. Sërish ka shpirt për të ushqyer besimin në fitore edhe pse përballë Kroacisë më 19 qershor, ora 15:00 dhe Spanjës më 24 qershor, ora 21:00, do të jetë po kaq e vështirë sa me Italinë.

Djemt e përfaqësueses së Shqipërisë do të dinë të tregojnë se ne meritojmë më shumë, se ne kemi shkuar në Gjermani për të luftuar për fitore, për të përmbushur premtimin e dhënë betimit Kuq e Zi, për të shprehur me aktin e magjishëm të fitores, mirënjohjen dhe falënderimin e mbështetjes së zjarrtë të tifozërisë.

SHKARKO APP