Një tjetër brand hotelesh me 5 yje vjen në Tiranë, Veliaj: Vlera e pronës është rritur me 12-15%

Një tjetër brand ndërkombëtar hotelesh me 5 yje vjen në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në ceremoninë e firmosjes marrëveshjes me “Melia Group”, teksa tha se ky është një lajm shumë i mirë për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.

“Për ne është një lajm shumë i rëndësishëm. E filluam para pak kohësh, me grupin “Inter Continental”, të cilët sapo morën një angazhim në Tiranë. Në shtator presim të hapet Mariott në kullën e stadiumit “Arena Kombëtare”, ndërkohë që dy projektet e tjera, të hoteleve Hilton dhe Hyatt, gjithashtu janë në zhvillim e sipër. Ka shumë rëndësi që të jemi avokatë të zhvillimit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se investime të tilla vetëm i shtojnë vlerën kryeqytetit, duke theksuar se Tirana po zhvillohet dita-ditës dhe se nuk ka kohë për oponenca boshe.

“Vlera e pronës në Tiranë, në 7 vitet e fundit, është rritur mesatarisht nga 12 deri në 15% në vit. Do të thotë se edhe kundërshtari më i madh i këtyre zhvillimeve është bërë dy herë më i pasur, vetëm duke dhënë mend për kullat në Tiranë. Tani që gjërat po konturohen, hotelet dhe brandet kryesore tashmë janë vendosur, ndaj më vjen mirë që ëmbëlsira për në fund, Melia Group, është sot në Tiranë për të shkruar një histori suksesi bashkë me ne, për të ndarë një ambicie bashkë me ne, për të fituar dhe për të ecur përpara bashkë me ne, të pandarë nga suksesi dhe ambicia e qytetit tonë”, nënvizoi Veliaj.

SHKARKO APP