Njëri nga krerët e degëve debat me Bashën: Po përçani partinë. Kuvendi i 11 dhjetorit është i demokratëve
Debatet nuk munguan as në mbledhjen e kryetarëve të degëve të PD me kryetarin Lulzim Basha, takim që nisi pasdite dhe u mbyll në mbrëmje. Anton Pjetërnikaj, kryetar i degës së PD në Paskuqan, tha gjatë takimit se për të mbledhja e Kuvendit Kombëtar është më datë 11 dhjetor, kur Sali Berisha e ka thirrur.
“I pari që keni shkelur statutin jeni ju. Ju nuk keni pyetur asnjë forum për vendimet dhe keni përçarë partinë. Kuvendi i datës 11 dhjetor është i demokratëve. Çdo thirrje tjetër është përçarje. Po përçani partinë”.
Po ashtu ai ka thënë ndër të tjera, se të drejtë ka shumica nga e cila edhe Basha është zgjedhur si kryetar.
“Është detyra juaj që ta zgjidhni këtë ngërç. Të gjithë delegatët me një përjashtim të papërfillshëm kanë firmosur formularët. Dhe Kuvendi do të mbahet më 11 dhjetor. Ju nuk jeni në gjendje që të mbushni mendjen e demokratëve se kush ka të drejtë. Të drejtë ka shumica nga e cila ne dhe ju jemi zgjedhur”.