Noka: Në Kamëz dhe Vorë po shpërndahen ”para tërmeti”, Rama nxit kriminelët kundër opozitës
Flamur Noka, kandidat për deputet i PD-së, hedh akuza të forta kur thotë se në Kamëz dhe në Vorë ka tentativa për të blerë votën. Ai tregoi mekanizmat, të cilat sipas tij po përdoren nga bashkia e Kamzës për të “blerë votën”.
“Në zonën e Kamzës apo dhe të Vorës do shikoni, që vazhdohet duke shpërndarë formularë për të plotësuar për tërmetin dhe në filialet e postës duke shpërndarë para tërmeti, a thua se tërmeti ka ndodhur para një muaji. Vazhdojnë të plotësohen, dhe vazhdojnë në mënyrë flagrante individë, që sot jetojnë në Kosovë dhe janë të regjistruar në formularët e bashkisë për të marrë para DS3 apo DS4 sikur u është prishur shtëpia nga tërmeti. Kemi parë realisht, janë dhënë para për rindërtimin për familjet, të cilat shtëpia u është prishur vetë përpara se të binte tërmeti, dhe ndërkohë dikur bashkia Kamëz, që drejtohej nga PD-ja kishte çuar çadra, tani këta i planifikojnë sikur u është prishur nga tërmeti. Është një mekanizëm për të blerë votën”, tha ai për ”Euronews Albania”.
Nga ana tjetër, si ish-ministër i Brendshëm, ai komentoi përplasjet në Elbasan dhe në Tiranë, ndërsa tha se Policia e Shtetit nuk po e kryen siç duhet detyrën e saj ligjore. Noka thotë edhe se Rama ka nisur të përdorë miqtë e tij kriminelë kundër opozitës.
”E vetmja gjë që i ka ngelur Edi Ramës është të mbahet pas kthetrash dhe të përdor miqtë e tij kriminelë kundër opozitës. Përdorimi i strukturave të tij kundër PD tregon se ka degraduar ky pushtet dhe këtij pushteti i ka ardhur fundi. Shqiptarët po e demonstrojmë refuzimin ndaj Rilindjes. Pa më të voglin diskutim, pjesa më e shëndoshë edhe e Policisë së Shteti vazhdon të kryejë detyrën, por ka segmente që janë militantë apo polici politike. Ajo që pamë atë ditë, edhe tek FRD ishte një akt i turpshëm”.