Noka: Qeveria ka partner biznesi krimin, PD e vetmja forcë në Shqipëri që e lufton

I ftuar në Ora News, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka u shpreh se qysh kur ka ardhur në pushtet Rilindja krimi është bërë partner me krimin.

Sipas Nokës, policia e shtetit është e mbaruar dhe shtoi se politika në pushtet ka një mendësi kriminale.

Flamur Noka: Kemi vite, qysh nga 2013, që qasja e politikës në pushtet ndaj luftës ndaj krimit, është e një mendësie të frikshme në mënyrë kriminale. Është e vetmja qeveria në 30 vite demokraci, që krimin e organizuar e konsideron partner dhe biznes. Faktet janë të pakundërshtueshme. Unë kam qenë ministër i Brendshëm dhe më vjen keq kur shoh një polici jo vetëm të tulatur, por të mbaruar.

Ngjarja e mbrëmshme ishte një ngjarje në kufijtë e terrorit. Politika në pushtet, kur vriten njerëzit, shprehet se hëngshin kokat e njëri-tjetrit, se edhe ata janë bir nënash. Kjo është mendësi kriminale. Ndodhin ngjarje në kufijtë e tragjikes dhe politika thotë se ngjarja të tilla ndodhin kudo. Ndodhin në vend të botës së tretë, atje ku nuk ka shtet. Në vendin tonë është në pushtet një qeveri që qytetarin nuk e ka në nocionin bazë, por herë e përdor kur i duhet dhe herë e anashkalon.

Noka theksoi se PD është e vetmja forcë në Shqipëri që ka dhënë prova që sa herë është në pushtet ka treguar zero tolerancë ndaj krimit.

Flamur Noka: PD është e vetmja forcë në Shqipëri që ka dhënë prova që sa herë është në pushtet, ka vetëm një devizë: zero tolerancë ndaj krimit. Edhe Basha e ka bërë me dije këtë devizë: zero tolerancë kundrejt krimit. Të gjitha bandat kriminale të fuqizuara, të krijuara dhe të shpërblyera nga Rilindja, nesër kanë vetëm një fat: fati i tyre është vetëm drejtësia.

Noka tha se sot policia drejtohet nga një kupolë e krimit që ka si synim luftën për të bërë para dhe për të vjedhur zgjedhjet.

Flamur Noka: Kur qeverisnin të djathtët, zbulueshmëria ndaj krimit ka qenë më e larta ndonjëherë, deri në 95%. Edhe parandalimi, që është baza e punës së policisë, ka qenë një ndër shtyllat e policisë së shtetit, kur në pushtet ka qenë PD. Sot policia drejtohet nga një kupolë e krimit që ka si synim luftën për të bërë para dhe për të vjedhur zgjedhjet. Nuk njihet në policinë e Rilindjes termi luftë ndaj krimit dhe drogës, se Shqipëria është një ndër parajsat më të mëdha të drogës në Evropë.

SHKARKO APP