Nuk ka marrëveshje, PD-LSI: Dakord për listat, por koalicionet të mos preken
PD nuk heq dorë nga kushti që koalicionet nuk duhet të ndryshohen. Opozita jashtë parlamentit edhe në mbledhjen e sotme të këshillit tha se është dakord për hapjen 100% të listave, por jo për të ndryshuar formulën e koalicioneve.
DEKLARATA E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK, OERD BYLYKBASHI
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik kërkuam përsëri nga maxhoranca që të shprehet në parim, nëse është dakord që të ecet me propozimin që të hapen 100% listat e kandidatëve, duke ruajtur të paprekur koalicionet zgjedhore siç janë sot dhe formulën e shpërndarjes së mandatave. Përsëri u ndeshëm me refuzimin e Partisë Socialiste, refuzim për të pranuar këtë propozim kompromisi të Opozitës së Bashkuar.
Partia Socialiste nuk ka ndryshuar asnjë centimetër pozicionin e saj, të veprimit të njëanshëm dhe ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës. E bëmë të qartë siç e kemi bërë të qartë më përpara që janë veprime që do të prishin Marrëveshjen e 5 Qershorit.
Ne propozuam që të hiqet dorë nga ndryshime të njëanshme, të hartohet një amendament i përbashkët në lidhje me hapjen e listave dhe pa prekur asgjë tjetër në Kushtetutë dhe këtë ta bëjmë me ekspertizën ndërkombëtare.
Për të garantuar që procesi do të mbetet i paprekur dhe përtej lojrave diabolike të Edi Ramës dhe të maxhorancës, ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore në këtë Kod Zgjedhor të jenë bashkë dhe t’i çohen parlamentit në mënyrë që të jetë çdo gjë e qartë.
Kemi një model që është tashmë prej 17 vitesh i konsoliduar, marrë nga Italia dhe i përdorur dhe nga shtete të tjera, është miratuar në vitin 2003, nuk ka prodhuar asnjë lloj krize dhe problemi në zgjedhje modeli i koalicioneve që përdor Shqipëria.
Nuk ka asnjë rekomandim të OSBE-ODHIR apo të Komisionit të Venecias për ndonjë problematikë dhe që duhet ndryshuar kjo. Është vetëm një lojë e Edi Ramës për të ndryshuar rregullat para zgjedhjeve për t’i hequr mundësinë shqiptarëve që përveçse të përcaktojnë se kush është fuqia me vota e çdo kandidati, gjithashtu të përcaktojnë në mënyrë transparente me votën e tyre, kush është fuqia elektorale e çdo partie.
Edi Rama përpiqet të bëjë këtë lloj konfuzioni për të arritur qëllimet e tij nga frika që ka përballë koalicionit të opozitës së bashkuar.
E përsërisim, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimin me transparencë dhe konsensus për të bërë së bashku amendime që do të hapin listat e kandidatëve 100% pa prekur asgjë tjetër që ndryshon rregullat themelore të procesit zgjedhor.
Për Petrit Vasilin, Edi Rama po tenton të ndalojë koalicionet nga frika e humbjes.
Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-sëpas mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore
Doja t’iu sqaroj, për të qenë krejtësisht transparent me publikun që në 6 muaj të këtij Komisioni, në këtë sallë, apo dhe rezidencat e ndërkombëtarëve, kurrkush as nga PS as nga përfaqësues të tjerë në atë sallë dhe në Kuvend, nuk është thënë dhe kërkuar qoftë dhe njëherë të flitet për koalicionet parazgjedhore. I vetmi argument që është ngritur, në forma nga më të shumëllojshmet, me 7 apo10 drafte të ndryshme ka qenë sensibilitet i lidhur me listat e hapura, sensibilitet i cili adresohet në propozimin e kompromisit të opozitës, e cila thotë qartë: Po, hapim listat, 100% dhe jo me 2/3 e 1/3, që do të thotë sërish lista të mbyllura dhe sërish loja e Edi Ramës. Por qartësisht shprehemi për këtë pikë që ka të bëjë me një fjali të vetme në Kushtetutë.
Ndërkohë, edhe në mbledhjen e sotme, edhe të mëparshme, edhe publikisht, këto ndryshime të njëanshme janë vetëm produkt i PS dhe disa individëve të tjerë në Kuvend. Pasi sot u konfirmua edhe nga zonja Hajdari, se ajo kishte propozuar dhe kishte firmosur vetëm për lista të hapura dhe jo për koalicionet parazgjedhore. Pra, e gjithë kjo maskaradë, puç kushtetues, bëhet nga Partia Socilaiste, me disa individë të shkëputur. Pra çështja është vetëm koalicionet parazgjedhore, të cilat do të thonë
baraz humbje e sigurtë për Edi Ramën. Së dyti dua sërish t’iu sqaroj, me qenë se para pak minutash këtu përpara jush zoti Gjiknuri në standardin e tij normal të mashtrimit publik, ashtu siç bëri me qëndrimin për listat e hapura, pyetjes suaj lidhur me modelin e fletës së votimit që ne propozuam, iu shmang duke thënë që është problem teknik. Asnjë shqiptar nuk ka harruar që Edi Rama ka ulëritur, është çjerrë e ka lehur për të ashtuquajturat fletë votimi sa një çarçaf, që do shtriheshin që këtu e deri në fund të Bulevardit, ndërkohë që kur zgjidhja është fare e qartë e përpara syve, bëjnë sikur thonë problem teknik. Është shumë e qartë dhe e thjeshtë: Lista të hapura 100%, jo 2/3, ky është propozimi i opozitës. Koalicionet s’kanë asnjë lidhje me këtë çështje dhe fare mirë, sikurse e keni parë në modelin e asaj flete votimi, listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore, të cilët kanë qenë faktor stabiliteti, s’kanë qenë kritikuar kurrë, nuk kanë pasur asnjë shqetësim nga qytetarët, mund të bashkëjetojnë lehtësisht të dyja. Pra këtu s’ka lidhje fare me asnjë kërkesë apo shqetësim, por vetëm frikën e tmerrshme të Partisë Socialiste për humbjen që e pret. Është e qartë që 85% e shqiptarëve ja kanë dhënë verdiktin dhe çdo lloj përdredhje apo spërdredhje nuk e ndryshon dot fatin e tyre, fatin e shkruar e të bërë publik qoftë në dosjen 339, por që çuditërisht SPAK nuk ka filluar nga numri më i vogël që është 184, por ka filluar nga 339. Ne kemi durim të shohim dhe të parën edhe të dytën.