”Nuk na duhet rikthimi i konflikteve”, Blinken: NATO do të vazhdojë të ofrojë siguri për rajonin
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën në Bruksel se perëndimi nuk dëshiron të shohë rikthimin e konflikteve të së kaluarës në Ballkanin Perëndimor dhe NATO-ja do të vazhdojë të ofrojë siguri për rajonin.
“Kur e fillova këtë punë, në qendër të shqetësimeve tona dhe të shqetësimeve të shteteve në mbarë botën, veçmas në zonën transatlantike, ishte Ballkani. Bosnja dhe më pas Kosova. Një gjë që nuk na duhet në të ardhmen është kthimi i konflikteve në Ballkan. NATO-ja ka luajtur rol thelbësor për të ndihmuar shtetet e rajonit që të përparojnë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për qëndrueshmërinë më të gjerë evropiane”, tha sekretari Blinken duke theksuar se NATO-ja paraqet shtyllën kurrizore të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.
Sekretari Blinken i bëri këto komente në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel në të cilin është diskutuar mes tjerash për situatën në Ballkanin Perëndimor, mes debateve për shtimin e pranisë ushtarake të aleancës për shkak të shqetësimeve se situata e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë mund të rrisë paqëndrueshmërinë në rajon.
Një përleshje e armatosur ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në muajin shtator në veri, nxiti shqetësimin e vendeve perëndimore se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
“Aleanca është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës, siç e kemi parë më herët gjatë këtij viti, duke vendosur trupa shtesë në kuadër të KFOR-it. Po ashtu kemi thelluar bashkëpunimin tonë me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë. Kjo po ashtu ishte pjesë e rëndësishme e bisedës sonë gjatë këtyre dy ditëve”, tha sekretari Blinken, para se të nisej për në Shkup ku do të marrë pjesë në takimin e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në përfundim të takimit se incidenti në veri të Kosovës ishte një ngjarje serioze. “Kjo vë në pah sfidat me të cilat përballemi në Kosovë dhe rëndësinë që palët të punojnë për shtensionimin e situatës, për t’u përmbajtur nga veprimet dhe çdo retorikë nxitëse që mund të rrisin më tej tensionet”, tha ai.
Rreth pesë mijë trupa të NATO-s kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë, një mijë prej të cilëve u vendosën në terren pas ngjarjeve të muajit shtator. Aleanca tha se po shqyrton shtimin afatgjatë të trupave për të ruajtur qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa u bëri thirrje palëve që të punojnë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar këtë proces duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës. /VOA/