Nuk ndërtohet Shqipëria, rri 46 muaj dhe puno 2 muaj, zoti Kryeministër!

Nga Herion Mesi-

Kryeministri Rama ka shkuar sonte vonë në qytetin e Laçit, ku po ndërtohet një pjesë e banesave që u rrënuan nga tërmeti. Kastile shkon natën për të treguar se ai punon, bile edhe mbi video shkruan “punë, jo gjumë”. Pra Rama punon dhe opozita fle gjumë, nënteksti surrelian!

Ndërkohë për 46 muaj qeverisje nuk ka mbajtur premtimet, përkundrazi rrënoi demokracinë dhe u hodh në krahët e oligarkëve me PPP, koncensone, tenderime, etj. Qeverisi keq dhe dhunshëm, ndërsa këto dy muaj po hap fronte pune kudo me nga një eksvator apo fadromë, ku makinat me zhavorr duken sikur bëjnë namin. Ka hapur kanale dhe themele gjithandej, të cilat nuk do ti mbush dot, sepse janë për fasadë e show që të mundohet të mashtrojë në stilin e përfeksionit mediatik të cilin e financon me leje ndërtimi etj.

Vrapon sa nga Tepelena në Laç, më pas nxiton për Shijak e Korçë, duke krijuar idenë se po bën namin me punë, kur papunësinë e ngriti në shifra të frikshme.

Kjo e gjitha një lojë elektorale për të gënjyer ata që mund të gënjejë. Por 25 prilli po vjen dhe kjo e tmerron kryeministrin, sepse e di se humbja do jetë shkatërruese për sektin rilindas. Njerëzit shikojnë, vëzhgojnë dhe votojnë pasi kanë parë se 46 muaj kjo qeveri dhunoi opozitën me gaz lotsjellës, nuk zhvilloi zgjedhje vendore, por si në komunizëm votoi e numëroi vetë dhe ku krejt makineria shtetrore punon për 10 apo 15 oligarkë.

Ndërsa tani lëviz natën me ministrin e eurove, Arben Ahmetaj, që akoma i sillet mishi i Nusretit nëpër dhëmbë siç rrotullon vulën kur jep dhjetra milionë euro për grupet afër qeverisë.

Kryeministri e di më mirë se kushdo në PS e Rilindje se po vjen fundi i fundit të pushtetit të tij dhe se do ketë një jetë politike të trazuar pas 25 prillit. Edi Rama mbetet i qartë se pas 25 prillit e humbjes drastike nuk ka për ti hapur celularin as Arben Ahmetaj, as Belinda e Belulit dhe as Fuga i maturuar, siç ia bënë Caci, Baçi, etj Fatos Nanos. Edhe ish-kryeministri Nano në tetor 2005 kur hyri në Rogner, pasi kishte humbur zgjedhjet e lenë edhe PS-në, nuk ia varte asnjeri nga të tijtë. Kthenin kokën në anën tjetër e Tosi pinte xhin vetëm, sikur nuk ekzistonte.

Ndaj edhe Rama po nxiton natën, se nuk e zë gjumi, nga data 26 prilli që po vjen. 25 prilli ditë ankthi, kurse data 26 prilli ditë tmerri për kryeministrin e natës së sotme, që është gati të niset po sonte natën drejt Lungomares për tu kredhur me Damian Gjiknurin në ujin e ftohtë të Vlorës.

SHKARKO APP