Nuland tha prerë në Tiranë: Largoni të inkriminuarit nga politika
Viktoria Nuland, numri “2” në Departamentin Amerikan të Shtetit e tha qartë në Tiranë. Sipas saj shqiptarët dhe partitë politike duhet të largojnë personat e inkriminuar nga politika dhe drejtimi i vendit.
“Kjo është një çështje për të cilën keni dëgjuar Ambasadorin Lu të flasë me forcë, për kriminalitetin në sistemin politik. Ai e bën këtë me mbështetjen e plotë të të gjithëve ne në Uashington. Sinqerisht, në një demokraci, populli, votuesit meritojmë më shumë se sa t’u paraqiten kandidatë me të shkuar kriminale. Dhe ne iu bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të këmbëngulin që partitë politike këtu t’u ofrojnë kandidatë të pastër, t’u ofrojnë njerëz që duan ta çojnë vendin përpara në vend që ta tërheqin prapa” –tha Nuland.
Ajo bëri thirrje për ndryshime në ligj apo kushtetutë për pastrimin e politikës.
“Ajo që duam të shohim është legjislacion ose ndryshime kushtetuese që e bëjnë shumë shumë të vështirë për cilëndo parti që të paraqesë njerëz që ka kriminalitet në të shkuarën e vet ose që duan të merren me kriminalitet nga pozicione pushteti”.
Sipas Nuland, shqiptarët nuk duhet të presin që drejtësia të bëhet nga jashtë.
“Nuk duhet të doni që Shtetet e Bashkuara të gjykojnë këtë apo atë apo atë tjetrin. Duhet të doni një sistem që e bën të pamundur që kjo të ndodhë. Prandaj po i mbështesim reformat që do ta bënin një fushë të ndaluar për politikanët e pistë. Dhe duam të shohim të gjithë udhëheqësit e partive politike, pavarësisht nga krahët, që të bashkohen dhe të bëjnë ato lloj reformash sistemike legjislative që mbështet një sistem më të pastër” – tha ajo.
Një mesazh të fortë, zëvendësja e Kerry, dha për sistemin e drejtësisë.
“…populli shqiptar ka pritur tepër gjatë për një drejtësi të pastër, të paanshme, për të pasur besim në gjykatat e tij. Prandaj nuk është çështja nëse Shtetet e Bashkuara do të përmendin emra; çështja është që kjo reformë të prodhojë një sistem më të mirë, më të pastër ku gjyqtarët dhe prokurorët japing llogari, për sjellje të paanshme. Mendojmë se është e mundur me një reformë të mirë, me ligje të mira, me vënie të provë të sistemit si duhet, por kjo është diçka që duhet ta bëni ju; nuk është diçka që duhet ta bëjmë ne. dëgjova angazhimin e fortë të të gjitha palëve sot. Do të vëzhgojmë cilindo për t’u siguruar që do t’i përmbushin këto angazhime” – e mbylli ajo