Numërimi i votave, Celibashi: Jo koha që partitë të ikin
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 maj 2025, dhe partitë nuk janë gati të heqin dorë nga komisionerët dhe numëruesit politikë. ”Në momentin që flasim nuk mund të jenë partitë tërësisht jashtë. Do të sillte mosnjohje rezultati”, thotë kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Propozimi që administrata publike të shërbejë edhe si numëruese votash refuzohet nga pakica parlamentare. ”Të përdorim administratën publike”, tha përfaqësuesja e PS-së Elena Xhina. ”Bëjmë një gjë që mund të duket e bukur tani po mund të rezultojë katastrofale”, nënvizoi Oerd Bylykbashi i PD-së. Të parët që do të qëndrojnë larg duarve të Administratës do të jenë emigrantët, votat e të cilëve propozohet të numërohen nga KQZ.
OSBE, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias propozuan një qendër të përhershme në KQZ për trajnimin e komisionerëve dhe numëruesve, në mënyrë që një armatë e certifikuar të jetë gati për çdo proces zgjedhor.