Artan Fuga: ”O Ilir Beqaj, mos shko në atë Komision!”
Akademiku Artan Fuga është përfshirë në lidhje me debatet në Komisionin Parlamentar Hetimor për ”check up” dhe sterilizimin për mënyrën sesi duhet të dëshmojë ish-ministri Ilir Beqaj. Në një reagim në Facebook, Fuga shprehet se një i arrestuar ka të drejta dhe se nuk mund të bëhet lodër për deputetët.
Reagimi i plotë:
Dale, dale, një minutë, një minutë. Unë nuk di gjë fare në ka ngjyer doren a jo Ilir Beqja. Do ta tregojë SPAK-u. Nëse ka faj të shlyejë dëmin sipas ligjit deri në një! Por që duke qenë në arrest, në hetim, të thirret në atë komisionin kuvendor steril që në shijen time politike më duket gjysmë i çmendur, qesharak në sytë e shqiptarëve, i thirrur shoqëruar me policë, kjo më shfaqet sikur është çmenduri, hipokrizi, sadizem.
Kjo është që Kuvendi të paralelizojë Prokurorinë. Lëre mos lozni shpiash, prokurorësh, si një ikje nga vetja dhe si identifikim me ata që keni frikë e ju dalin në gjumë! Frojdi e quante transfertë, një psikozë neuropatologjike! Dhe media në vend të ulurije, merret jo u lejua jo s’u lejua Ilir të shfaqi video, foto a skica!
U pika! O Ilir Beqja, mos shko në atë komision! Jepi xhevap vetëm prokurorëve askujt tjetër, se nesër do të kërkojnë logari dhe hetim edhe ata që janë fut në Big Brother a Big Market, mos shko sepse një i arrestuar ka të drejta, nuk mund të bëhet lodër për deputetë! Nuk mund të hetohet në publik! O deputetë, por ç’beni mo! Po është turp kjo që bëni! Çnjerezore! Antiligjore!