“O Lulzim o hero..”, Basha: Do të konfiskojmë pasuritë e pushtetarëve
Pasi zhvilloi mbledhjen më përfaqësues të komunitetit të të ardhurve në Durrës lideri i opozitës Lulzim Basha mbajti fjalim para simpatizantëve të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij Basha u ndal te një problem i rëndësishëm për qytetarët që është procesi i legalizimeve. Sipas tij ky është një nga premtimet e pambajtura të qeverisë në këto 8 vite.
Më tej, Kryedemokrati theksoi edhe një herë se Partia Demokratike do të konfiskojë pasuritë e pushtetarëve të korruptuar dhe ortakëve të tyre.
“Dua të ndalem në një aspekt; përtej problemeve që kemi diskutuar me përfaqësuesit tuaj sot në takimin që sapo përmbyllëm, që kanë të bëjnë me angazhimin tonë për të përfunduar një borxh që kemi ndaj jush, një premtim të pa mbajtur për 8 vite të Edi Ramës, por që faji është i joni që nuk duhet të ja kishim lënë kurrë atij në dorë, është përmbyllja e procesit të legalizimeve për të gjithë familjet shqiptare pa asnjë përjashtim! Ato marrëveshjet e famshme, ato marrëveshjet që ju bëjnë dhe ju detyrojnë të paguani 25-28 mijë e më shumë lekë në muaj, një organizate që quhet OSSHE dhe në vend që t’ju sjellë dritë, ju ka sjellë errësirë, ju ka sjellë stres, ju ka sjellë depresion dhe j’ua zbraz xhepat për të mbushur xhepat e Juel Çelës dhe bandës së tij që do ta shporrim më 25 prill. 110 milionë euro gjoba që Edi Rama do t’i bjerë në qafë buxhetit të shtetit. Nuk do të paguhet nga buxheti i shtetit, por ne do t’i konfiskojmë të gjithë pasurinë e pushtetarëve të korruptuar dhe të ortakëve të tyre, sepse paratë e taksave të shqiptarëve nuk do të shkojnë për të paguar tekat e pushtetarëve të korruptuar. Përkundrazi, ne do të bëjmë gjithçka që kjo faturë që rëndon mbi 335 mijë familjet shqiptare, e kam fjalën për atë marrëveshje”, u shpreh Basha.
Në këtë takim, kreu i PD u prit me brohoritje dhe thirrjet: “O Lulzim o hero, e gjithë Shqipëria ty te do”.