Obama, Merkel komentojnë për krizën në Ukrainë
Presidenti Barack Obama tha se ndihma për Ukrainën me armë mbrojtëse në luftën e saj kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia mbetet një alternativë, por ende nuk është marrë një vendim. Zoti Obama i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët shtypi në Shtëpinë e Bardhë me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Presidenti Obama tha se Rusia po vazhdon "agresionin" e saj kundër Ukrainës, duke dërguar tanke dhe artileri për të mbështetur separatistët, në shkelje të marrëveshjes për armëpushim të arritur shtatorin e kaluar.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët shtypi në Shtëpinë e Bardhë me kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidenti amerikan tha se ai i ka kërkuar ekipit të tij të shqyrtojë "të gjitha alternativat", duke përfshirë ndihmën me armë luftarake për Ukrainën, nëse diplomacia dështon për të zgjidhur konfliktin.
Presidenti Obama tha se për fat të keq Rusia ka zgjedhur një rrugë që është e keqe për ata vetë, për Evropën dhe për Botën.
"Përballë këtij agresioni dhe këtyre vendime të gabuara, ne nuk mundemi që thjesht me fjalë t'i bindim ata të heqin dorë, por duhet t'u tregojmë atyre se bota është e bashkuara dhe se do t'u imponojë atyre një çmim për këtë agresion dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë."
Presidenti Obama tha se nuk ekziston një "pikë e caktuara", në të cilën ndihma me mbrojtëse do të ishte "e përshtatshme". Por ne, tha ai, vazhdojmë të analizojmë se çfarë mund të bëjmë për ta bindur Rusinë të heqë dorë nga agresioni në territorin e Ukrainës, ku ata po depërtojnë gjithnjë e më thellë.
Presidenti Obama tha se ai dhe zonja Merkel "vazhdojnë të inkurajojnë një zgjidhje diplomatike" dhe ranë dakord që sanksionet kundër Rusisë të mbeten "plotësisht në fuqi" për aq kohë sa Moska "vazhdon në rrugën e saj të tanishme."
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane tha se ajo shpresonte që një zgjidhje diplomatike e krizës në Ukrainë mund të arrihet pavarësisht nga pengesat, dhe përsëriti se ajo nuk sheh një zgjidhje ushtarake të konfliktit.
Ajo tha se Rusia ka shkelur integritetin territorial të Ukrainës:
"Ne jemi për të njëjtat parime të paprekshmërisë së integritetit territorial. Si dikush që vjen nga Evropa, unë mund të them vetëm kaq: në qoftë se ne heqim dorë nga parimi i integritetit territorial të shteteve, atëherë ne nuk do të jemi në gjendje të ruajmë rendin paqësor në Europë. Rusia ka shkelur integritetin territorial të Ukrainës, në Krime si dhe në Donetsk dhe Luhansk," tha kancelarja Merkel.
Zoti Obama tha se ai dhe zonja Merkel kanë theksuar se perspektiva për një zgjidhje ushtarake të konfliktit është "e vogël".
Presidenti amerikan theksoi nevojën për "solidaritetin trans-atlantik" në trajtimin e krizës, dhe zonja Merkel pohoi në shenjë miratimi.
Të dielën, zonja Merkel mori pjesë në bisedimet telefonike njëkohësisht me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko, presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin francez Francois Hollande rreth një plani franko-gjerman për t'i dhënë fund rebelimit pro-rus në Ukrainën lindore. Të katër udhëheqësit ranë dakord të zhvillojnë bisedime të mëtejshme ballë për ballë në Minsk.
Zonja Merkel dhe udhëheqës të tjerë evropianë kundërshtojnë me forcëarmatosjen e Ukrainës, pjesërisht për shkak të shqetësimit se kjo mund të çojë në një luftë me Rusinë përmes palëve të treta.