Ofensiva diplomatike e Putinit kundër IS-it

 

Rusia votoi pro një hetimi ndërkombëtar për përdorimin e armëve kimike në luftën civile në Siri. Tani mediat ruse njoftojnë për një "Plan të Putinit" në luftë kundër "Shteti Islamik".

Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi të premten në lidhje me një hetim për përdorimin e armëve kimike në luftën civile në Siri. Votimi pro për hetimin konsiderohej i sigurt për shkak se SHBA-ja dhe Rusia kishin rënë paraprakisht dakord.

Kjo votë është një nga rastet e rralla në të cilat Uashingtoni dhe Moska janë të një mendimi në çështjen e Sirisë. Ai lidhet me ngjarjet në vjeshtën e vitit 2013. Në atë kohë, Rusia mundi ta bindë Sirinë për të shkatërruar armët kimike duke shmangur kështu një sulm ushtarak nga SHBA.

Lavrovi përcjell "Planin e Putinit"…

Pas kontributit rus për marrëveshje në grindjen e gjatë mbi programin bërthamor të Iranit, kjo rezolutë është arsyeja e dytë për Perëndimin për të lavdëruar Rusinë. Moska, e cila kritikohet ndërkombëtarisht për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë ka të ngjarë të jetë e kënaqur për titujt pozitivë në media.

Presidenti rus Vladimir Putin dëshiron ta vazhdojë ofensivën e tij diplomatike dhe me sa duket po përgatit një hap tjetër. Rusia i ofron Perëndimit dhe vendeve të Lindjes së Mesme ndihmë në luftën kundër milicisë terroriste "Shteti Islamik" (IS). Mediat ruse njoftojnë për një "Plan të Putinit".

Kremlini nuk do t'i zbulojë të gjitha detajet. Për këtë është ende shumë herët, tha zëdhënësi i Putinit Dmitri Peshkov të mërkurën. Ai iu referua bisedimeve të fundit ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan John Kerry.

…por nuk mund ta bindë Kerry-n

Disa sugjerime Lavrovi i ka publikuar tashmë. Moska sugjeron një "front të gjerë antiterrorist" kundër IS-it, me të cilin duhet bashkohen edhe ushtritë e Sirisë, të Irakut dhe kurdët, tha Lavrov të mërkurën në Kuala Lumpur të Malajzisë, ku i paraqiti propozimet e Putinit ministrit të Jashtëm amerikan Kerry. Ky ishte takimi i dytë mes dy diplomatëve kryesorë brenda pak ditësh.

Por Lavrov me sa duket nuk arriti ta bindë Kerry-n. Të gjithë janë vërtetë dakord që IS-i duhet të luftohet së bashku si një rrezik i përbashkët. "Por ne nuk kemi ende një vizion të përbashkët se si ta bëjmë konkretisht këtë," tha ministri i Jashtëm rus.

Në Lindjen e Mesme duhet të kenë shkuar për të luftuar për IS-in rreth 2.000 rusë

Në Lindjen e Mesme duhet të kenë shkuar për të luftuar për IS-in rreth 2.000 rusë

"Moska do ta mbrojë Asadin"

Një nga pikat e mosmarrëveshjes ka të ngjarë të jetë fati i qeverisë siriane. Lavrovi kishte bërë të qartë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër IS-it duhet ta "falë" presidentin sirian Bashar al-Asad, shkroi gazeta on-line ruse RBC. Rusia është pro Asadit që nga fillimim i luftës civile në Siri në vitin 2011. Kurse SHBA janë kundër sundimtarit sirian dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.

Georgi Mirski beson se "Plani i Putinit" nuk përmban asgjë të re. Një koalicion kundër IS-it ekziston tashmë. Presidenti rus dëshiron të mbrojë Asadin, tha eksperti për Lindjen e Mesme në Akademinë ruse të Shkencave në një intervistë me DW. Ai tërheq vëmendjen për njoftimin e fundit nga ana e Shteteve të Bashkuara që mund të bombardojë edhe pozicionet e ushtrisë siriane. "Ky do të ishte fundi i regjimit të Asadit," thotë Mirski. "Putini nuk mund ta pranojë këtë."

Sipas Mirskit kjo është një përpjekje e Putinit për të bërë sikur por vepron. Moska nuk ka ndër mend të vërë në dispozicion trupa në luftë kundër IS-it, këtë e tha edhe zëdhënësi i Putinit. Mirski thotë se pas ankesimit të Krimesë një bashkëpunim mes SHBA-së dhe Rusisë në çështjen e Sirisë është i pamundur.

Rritet numri i luftëtarëve të IS-it nga Rusia

Uwe Halbach nga "Stiftung Wissenschaft und Politik", (SWP) mendon se pas "Planit të Putinit" ka më shumë motive të brendshme. "Vlerësimi i IS-it në Rusi ka ndryshuar," tha eksperti në një intervistë me DW. Rusia po e merr sfidën që vjen nga IS-i shumë më seriozisht se një vit më parë.

Disa muaj më parë ministri i Jashtëm rus Lavrov e përshkroi IS-in si "armikun kryesor" të Rusisë. Sipas Këshillit të Sigurimit të Rusisë në Lindjen e Mesme duhet të kenë shkuar për të luftuar për IS-in rreth 2.000 rusë. Shumica e tyre vijnë nga rajonet me shumicë myslimane në Kaukazin Verior, si Çeçenia apo Dagestani.

"Plani i Putinit" për një luftë të përbashkët kundër IS-it u njoftua tërthorazi në korrik. Sergej Naryshkini, Kryetari i Dumës ruse, tha se është "tragjedi", që Rusia dhe Perëndimi largohen nga njëri-tjetri, në vend që të bashkohen për t'u përballur me IS-in.

Ditët dhe javët e ardhshme Rusia dëshiron të vazhdojë ofensivën e saj diplomatike. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara Putini mund ta prezantojë planin e vet gjatë fjalimit të tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork në shtator.

SHKARKO APP