Ogerta Manastirliu: Fundi i shkollës verore te “Avni Rustemi”, fëmijët realizojnë një film të vërtetë
Ditët e fundit të shkollës verore te “Avni Rustemi” janë kthyer në një festë të bukur.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se “fëmijët jo vetëm janë argëtuar, por kanë realizuar edhe një film të vërtetë, ku kanë treguar përvojën e tyre në këtë verë të veçantë”.
Gjithashtu, fëmijët e përfshirë në programin e shkollës verore te “Avni Rustemi” përcollën mesazhet e tyre të falënderimit, ndërsa u shprehën se u kënaqën shumë këto dy javë me aktivitete zbavitëse, lojëra, argëtim, etj.
Shkolla Verore zhvillohet çdo ditë nga ora 08:00 deri në 13:00 për një periudhë dyjavore në secilën shkollë. Gjatë kësaj kohe, fëmijët marrin pjesë në një sërë aktivitetesh si: art dhe zeje, mësim i gjuhëve të huaja, kodim, sport, lojëra kreative, projekte STEM, diskutime mbi libra dhe biseda me të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike e sociale. Veçanti e programit është ofrimi i vakteve ushqimore të shëndetshme për të gjithë nxënësit.
Në zbatimin e programit janë angazhuar punonjës psiko-socialë, oficerë sigurie, infermierë por edhe të rinj vullnetarë nga gjimnazet e Tiranës.
Shkolla Verore është pjesë e një plani më të gjerë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të nxitur përfshirjen sociale dhe zhvillimin e fëmijëve.
“Ky është një projekt që po pilotohet për të parë mundësinë për ta shtrirë në vitet e ardhshme edhe në shkolla të tjera. Lehtëson shumë prindërit gjatë verës për t’i sjellë fëmijët pikërisht në ambientet ku ata janë mësuar, në shkollat e tyre. Ne kemi organizuar aktivitete të shumta, janë rreth 10 klube argëtimi apo edhe të mësuarit përmes lojës, hapësira të sigurta për fëmijët, por mbi të gjitha hapësira ku fëmijët të edukohen, shoqërohen me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha të kalojnë periudhën e verës nën kujdesin e mësuesve”, është shprehur më herët Manastirliu.
KOHA JONË SONDAZH

