OKB votoi pro Srebrenicës, ish-ministri Milo: Vuçiç u shfaq nacionalist, ushtar besnik i Millosheviçit

Me 84 vota pro dhe 19 kundër, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që përcakton 11 korrikun si ditë të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, kur serbët e Bosnjës vranë më shumë se 8,000 myslimanë boshnjakë në Srebrenicë të Bosnjës.

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo votimin e sheh si rezultat të pritshëm pasi fuqitë e mëdha ndërkombëtare ishin deklaruar se do e mbështesin miratimin e rezolutës. Për të reagimi i presidentit serb dhe atij të presidentit të republikës SRPSKA ishin të parashikuara, për shkak e kishin vënë në diskutim çështjen për miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.

”Surprizon këmbëngulja e verbër e Dodik i cili është paksa i çekuilibruar. Ndërsa Vuçiç në mos duhet të dënonte masakrën e Srebrenicës, duhet të paktën të heshtte. Por ai u shfaq si nacionalist i orëve të para, siç ka qenë në vitin 1995 kur u bë masakra, si një ushtar besnik i Millosheviçit që mbron idenë e Serbisë së madhe dhe mohon që ai krim u krye nga forcat militare paraushtarake serbe, që ishin mbështetur nga Jugosllavia e Millosheviçit, qeverinë në të cilën Vuciç ka qenë ministër i informacionit. Vuçiç e ekspozoi veten dje në Asamblenë e OKB, shumë shumë keq”,-tha në ”MCN TV”.

Sa i takon reagimit të ashpër të SHBA e cila është shprehur kundër kërkesës së përsëritur të presidentit Milorad Dodik për ndarjen e republikës SRPSKA nga Bosnje Hercegovina, Milo tha se ka vite që artikulohet nga Dodik, në një mënyrë ose një tjetër shpesh e ka shprehur duke kërkuar largimin e përfaqësuesve serbë nga institucionet e përbashkëta të Bosnjë Hercegovinës.

SHKARKO APP