Olta Xhaçka në Ministerialin e OSBE-së: ”Open Balkan” e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund konflikteve dhe t’i hapi rrugë negociatave
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, drejtoi sesionin e Këshillit Ministror të OSBE-së që u mbajt në Suedi, në cilësinë e trojkës kryesuese të kësaj organizate për vitet 2019-2021.
Xhaçka e cilësoi nismën ”Open Balkan” si një mjet efektiv për të luftuar pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë, që po rriten gjithnjë e më shumë në hapësirën e OSBE-së. Për të bashkëpunimi dhe dialogu janë e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund konflikteve dhe t’i hapin rrugë negociatave.
”Dialogu nuk është kurrë i lehtë. Sidomos në një klimë polarizimi të theksuar në politikën ndërkombëtare dhe të brendshme. Unë besoj fort se dialogu është e vetmja rrugë. Është ky besim dhe përkushtim ndaj vlerës së dialogut që mbështet politikën e jashtme të Shqipërisë.
Kjo është arsyeja që në rajonin tonë ne kemi nisur një aksion të pashembullt, Iniciativën e Ballkanit të Hapur, e cila në thelb është një përpjekje për të përshpejtuar procesin e Berlinit.
Ka çështje të pazgjidhura mes shumë njerëzve dhe vendeve në rajonin tonë. Ne besojmë se duke biseduar, duke bashkëpunuar, duke u treguar njerëzve tanë dhe komuniteteve tona se si mund të përfitojnë nga bashkëpunimi, në vend të konfliktit, ne do të krijojmë një imperativ për paqen dhe stabilitetin duke punuar së bashku”.