ONM ankimoi vendimin për Elisabeta Imerajn, reagon ambasadorja Kim: Koha të tregojmë guxim dhe integritet

Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar përmes një postimi në twitter lidhur me rekomandimin e ONM, drejtuar Komisionerit Publik për të ankimuar vendimin e KPK për kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj.

“Në përputhje me rolin e tij kushtetues në procesin e verifikimit, vëzhguesit e ONM dje i rekomanduan Komisionerët Publik të apelojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për një çështje të rëndësishme.” -shkruan Ambasadorja Kim, ndërsa shton se duhet ndjekur me kujdes se çdo të ndodhë më procesin.

“Të gjithë duhet të shikojmë nga afër se çfarë ndodh më pas. A do të jetë përgjigjja për të treguar guxim dhe integritet për të dhënë drejtësi apo, siç e kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, për të devijuar përpjekjet duke sulmuar procesin e vetingut dhe duke shpifur vëzhguesit ndërkombëtarë?” thekson Kim ndër të tjera. Një apel të fundit ambasadorja amerikane ia rezervon mediave.

“A do t’i shërbejnë mediat publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër? Është koha të tregojmë guxim dhe integritet. Koha për të thyer modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë. Koha që Shqipëria të ecë përpara, hap pas hapi. Shtetet e Bashkuara do të jetë me ju.” përfundon ambasadorja Kim reagimin e saj.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i rekomandoi Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës. Rekomandimi i ONM-së vjen pasi KPK publikoi vendimin e zbardhur për Elisabeta Imerajn, e cila ishte vlerësuar pozitivisht në të tria kriteret. Por ekspertët ndërkombëtar nga ana e tyre rekomandojnë që ankimimi duhet gjithashtu të përfshijë të tria kriteret.

SHKARKO APP