”Open Balkan”, Bashkurti: Gjithçka është ende jo konkrete. Serbia ka probleme me fqinjët
”Open Balkan” është emri i marrëveshjes që synon heqjen e kufijve dhe burokracive mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përfitim të lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Profesor Lisen Bashkurti, thotë se akoma nuk ka diçka konkrete lidhur me funksionimin e kësaj nisme ekonomike dhe se akoma është në ajër pasi nuk ka një dokument themelues apo akte që janë ratifikuar në Parlament.
“Ballkan i hapur është një emër shumë i vjetër dhe ka ekzistuar para viteve ’90. Nisma deri tani nuk ka një dokument themelues dhe nuk është ratifikuar nga parlamenti. Gjithçka është ende jo konkrete nga pikëpamja strukturore, duhet të jemi realistë sepse ka probleme organizimi. 4 liritë themelore të Lëvizjes që kanë si qëllim Bashkimin Europian janë kriteret kryesore për tu përmbushur, kritere politik, ekonomike, juridike dhe administrative. Nisma nuk është ballkanike, është një treshe, ballkani përendimor është fabrika e nacionalizmit sepse ka prodhuar luftëra pafund nga kjo gjë dhe nuk ka asnjë sinjal që Serbia e ka pranuar Kosovën si subjekt ndërkombëtar. Serbia ka probleme me Bosnje-Hercegovinën, me Malin e zi dhe gjeneron politika nacionaliste në këto vende. Nuk ka asnjë element tregues që ajo po heq dorë nga këto politika. Çdo shtet matet nga politika me fqinjin dhe aty fillon politika e jashtme”,-tha në ”Fax News”.
I pyetur nga gazetari se çfarë mendon për marrëdhënien mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, Bashkurti tha se nuk ka një qëndrim zyrtar pasi gjykimi bëhet vetëm përmes deklaratave të tërthorta, opinionet politike dhe mediatike por megjithatë lidhur me ”Mini-Shengenin Ballkanik” ai tha se palët kanë qasje të kundërta.
”Gjykojmë nga opinionet politike, mediatike dhe nuk ka një qëndrim zyrtar. Është e qartë që për Minishengenin Ballkanik palet kanë qasje të kundërta, Serbia nuk e pranon genocidin dhe nuk e njeh si subjekt ndërkombëtar Kosovën, edhe Kosova duhet të mbajë një qëndrim të tillë ndaj çdo nisme ku përfshihet Serbia. Shqipëria sipas lancimit të ideve në bilancet ekonomike do përfitonte në fushën e shërbimeve dhe turizmit nga kjo nismë dhe do të kishte një fluks. Bilanc aktiv tregtar Shqipëria ka vetëm me Kosovën dhe kjo nismë mund të rrezikojë këtë gjë. Bashkimi Evropian nuk e ka kundërshtuar këtë nismë por kjo nuk do të thotë se e ka mbështetur dhe gjithçka e ka në kontekstin e integrimit”.