Opozita dhe mazhoranca nderojnë të ndarë Dëshmorët, por apelojnë për reflektim
U përkujtua sot në kryeqytet 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Sikundër është kthyer në një traditë tashmë, edhe këtë vit mazhoranca dhe opozita zhvilluan ndarazi, në dy ceremoni të veçanta homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Basha: Reflektim për një Shqipëri të çliruar nga krimi dhe korrupsioni
Të parët që zhvilluan homazhe në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste ishin përfaqësuesit e opozitës.
Në drejtimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha, rreth orës 09:30 të paradites deputetë dhe përfaqësues lokalë demokratë vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”.
Kryedemokrati Basha në një prononcim të shkurtër për mediat tha se kjo ëhstë një ditë reflektimi për PD për të vazhduar deri në fitore betejën për një Shqipëri të lirë.
Basha: Sot nderojmë heronjtë, bijtë e këtij kombi që dhanë jetën për liri. Përkulemi me nderim para atyre që dhanë jetën edhe për vlera të tjera, liria nga titania e krimit, liria nga terrorizmi. E sotmja është dhe ditë reflektimi, reflektimi i PD para gjakut të dëshmorëve është vendosmëria për të vazhduar deri në fitore për një Shqipëri të lirë, të njerëzve të lirë. Për një Shqipëri demokratike të çliruar nga krimi dhe korrupsioni.
Meta: Angazhim për të kontribuar për një Shqipëri më të sigurt dhe të begatë
Më pas rreth orës 10:05, përfaqësues të mazhorancës me në krye kreun e Kuvendit Ilir Meta, zëvendës/kryeministrin Niko Peleshi dhe Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zhvilluan homazhe për nder të dëshmorëve.
Në fjalën e tij Meta tha se 5 Maji është jo vetëm një ditë angazhimi dhe detyrimi për të kujtuar veprën e Dëshmorëve të Atdheut, por edhe për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë.
Meta: Ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, dita e mirënjohjes së përjetshme të shqiptarëve ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare që dhanë jetën për çlirimin e vendit dhe për një të ardhme më të mirë. Është një ditë angazhimi dhe detyrimi jo thjesht për të kujtuar veprën e tyre të përjetshme, por edhe për të kontribuar në mënyrë që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt, i begatë dhe më i lumtur për të gjithë qytetarët e saj.
Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare./ORA
KOHA JONË SONDAZH

