Opozita drejt Kuvendit, Raporteri i BE-së takon Bashën
Në takimin e fundit me kreun demokrat Lulzim Basha, raporteri i BE nuk doli i sigurtë por shumë optimist se opozita në 24 dhjetor do të jetë në kuvend. Pas një takimi afro 60 minutash edhe kryetari demokrat është dukur optimist edhe pse nuk dha një përgjigje nëse po shkohej drejt parlamentit.
Pasi përmbylli takimet me liderat e poltikës në Shqipëri, dhe u përcolli drejtpërdrejt mesazhin e Parlamentit Europian, negociatori Knut Fleckenstain, doli optimist nga zyra e kreut të opozitës Lulzim Basha.
Europarlamentari shpreson që Partia Demokratike, do të jetë në kuvend më 24 dhjetor, për ti dhënë fund krizës politike disa mujore.
“Patëm bashkëbisedim të mirë me Ramën dhe Metën. Jam optimist për zgjidhjen e krizës dhe që ditët në vijim opozita të jetë në kuvend. Besoj se opozita do të jetë në seancën e ardhshme në Kuvend ” u shpreh raportuesi i Parlamentit Europian.
Kryedemokrati Lulzim Basha, nuk dha një përgjigje nëse është vendosur që ti jepet fund bojkotit, por me tone të qeta, ai ripërsëriti dhe një herë se dekriminalizimi i kuvendit dhe rikthimi i jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, janë vendimtare për demokracinë dhe integrimin europian.
“Ardhja e javës tjetër e zotit Kukan. Interesimi i institucioneve europiane për situatën e rëndë të demokracisë parlamentare në Shqipëri dhe dëshira e tyre për të ndihmuar në tejkalimine kësaj situate, dhe njohja më tej për shkaqet pse Parlamenti erdhi në këtë ditë dhe konfirmimi i vullnetit të opozitës për të ecur përpara me eliminimin e këtyre shkaqeve, që janë dekriminalizimi i kuvendit dhe pajtueshmëria e tij me Kushtetutën , vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe në tërësi sundimin e ligjit. Ky është një proces që kërkon vullnet politik, opozita e ka dhe e kam nënvizuar që në shtator që opozita kërkon të jetë në kuvend por një kuvend që funksionon sipas ligjit e Kushtetutës që nuk i shkel dhe i nëpërkëmb ato. Në një Kuvend që përfaqëson interesat e qytetarëve dhe jo interesat e grupeve kriminale. Procesi sapo ka nisur dhe është proces komunikimi. Ia vlen rezultati që presin jo vetëm ne si opozitë por dhe qytetarët, një parlament mirëfunksional. Më shumë se fjalime para kamerave të angazhohemi si për pozitën ashtu dhe për opozitën ti japim fund kësaj situate pa precedent” u shpreh Basha.
Eurodeputeti Knut Fleckenstein, Raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian, ndodhet prej dy ditësh në Tiranë, me misionin për të gjetur pikat e përbashkëta mes mazhorancës dhe opozitës për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Ndërkohë për të njëtën çështje, me 21 dhjetor, do të vij në Shqipëri dhe i ngarkuari tjetër i Parlamentit Europian , Eduart Kukan.
24 dhjetori është seanca e fundit parlamentar për këtë sesion dhe Partisë Demokratike i duhet të jetë pjesë e saj në mënyrë që të mos djeg mandatet e deputetëve.