Opozita i jep fund bojkotit, Kuvendi miraton rezolutën e përbashkët
Me 126 vota pro Kuvendi i ka dhënë bekimin rezolutës së përbashkët, të hartuar nga dy europarlamentarët Kukan dhe Fleckenstein. Ne seancen e fundit per kete sesion, ishin te pranishem dhe deputetët e grupit parlamentar të PD-së te cilet zune vendet ne Kuvend rreth orës 12:24.
Deputetët e opozitës iu bashkuan Kuvendit pas më shumë se 5 muaj bojkot. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka , ndërsa iu drejtuar deputetëve nga foltorja e Kuvendit, para se ky i fundit të votonte rezolutën, i kujtoi edhe njëherë mazhorancës arsyet që e shtynë në bojkot.
“ Bokoti për ne u bë një zgjedhje e detyruar pasi ky Parlament duke mos realizuar detyrimet e tij u kthye në vendin ku më së pari u shkelën dhe u dhunuan të drejtat e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë. Dhuna fizike ndaj deputetëve të opozitës dhe fjalës së tyre ishte vetëm akti i fundit që ndodhi në një parlament ku vazhdimisht injorohej rregullorja, ligjet, shkelej Kushtetuta dhe nuk zbatoheshin as vendimet e gjykatës Kushtetuese.
Standardet e drejtimit të këtij Kuvendit zoti kryetar kanë qenë të turpshme, ku i agresuari dënohej njësoj me agresorin, një parlament ku Kryeministri mban nën kërcënim kryetarin e Kuvendit me prangat e burgut. Për këto arsye dhe jo për tekat tona ne u larguam nga Kuvendi.E vetmja gjë që kërkuam ishte që kjo mazhorancë të mos vazhdonte të bënte sikur nuk dinte se çfarë kërkonte opozita”.
Paloka nga ana tjetër apeloi për zbatimin me rigorozitet të marrëveshjes, duke theksuar se ky është rasti i duhur për ta shpëtuar politikën shqiptare nga zhytja totale në llumin e krimit dhe korrupsionit.
“Askush të mos mendojë se ne kemi iluzionin e ndryshimit të papritur të vullnetit të kësaj mazhorance. Por nëse dikush e sheh këtë marrëvshje si një akt sa për të kaluar rradhën gabon. Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve që ndërhynë për realizimin e saj prapë gabon. E ca më shumë nëse ndonjërit do ti pëlqejë ta inerpretojë këtë marrëveshje si një favor që ju bë opozitës për ta shpëtuar nga djegia e mandateve gabon dhe gabon shumë rëndë.
Ne besojmë që kjo marrëveshje është në favor të gjitha palëve, në interes të demokracisë në Shqipëri që duhet të jetë dhe interesi i të gjitha palëve në Shqipëri. Ky moment dhe kjo marrëveshje janë rasti i duhur për ta shpëtuar politikën shqiptare për aq sa mundemi nga zhytja totale në llumin e krimit dhe korrupsionit”.
Deputetja e PD-së Mesila Doda, deklaroi se kishte qenë kundër këtij bojkoti që në fillim.
Draft-rezoluta që u votua sot është hartuar nga dy europarlamentarët Kukan- Fleckenstein.