Opozita kërkon shkarkimin e saj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla: S’kam gabuar! Kërkesa juaj është pa fakte

Lindita Nikolla po flet për kërkesën që ka ardhur për shkarkimin e saj si kryetare e Kuvendit. Ajo tha se kjo kërkesë e opozitës nuk ka fakte, duke thënë se ka respektuar Kushtetutën.

Gjatë kohës që ajo fliste, deputeti i PD-së Edmond Spaho i cili është përjashtuar nga punimet e seancës plenare, vijon t’i fryjë bilbilit. Kryeparlamentarja Nikolla deklaroi se ndihet e prekur nga kërkesa por theksoi se asaj i mungon themeli. Sipas saj, opozita ka shpikur një kauzë artificiale dhe e mbështet kërkesën në interpretime.

“Prita me qetësi kërkesën për shkarkimin tim, fillova të reflektoj, ktheva kokën se ku kisha gabuar, por më rezultoi se acarimet nuk kanë ardhur për shkakun tim, por edhe për përplasjet e brendshme të partisë. Jo të gjithë e pranonit publikisht, e ndjeni se kjo kërkesë nuk është ajo që i duhet të kuvendit, ndihem e zhgënjyer, i mungon themeli, ka një qëllim, por jo një shkak, shpikët një kauzë artificiale.

Janë emocione, por jo bindja juaj, e mbështesni në interpretime dhe jo fakte, nuk do të tërhiqem nga misioni për të ç’tensionuar seancat plenare, preferoj një drejtim të Kuvendit me risqje, por duke respektuar Kushtetutën, jashtë seancës kemi pasur një komunikim njerëzor, pse në sallë nuk jemi të njëjtit?

Nuk kam shfaqur 2 fytyra, nuk kam ndjekur 2 politika, do jua them gjërat sy më sy, e keni tepruar me gjuhë në adresën time, unë nuk do ju përgjigjem me të njëjtën monedhë, e tillë do të jem, zyra e kryetares së Kuvendit do të jetë e hapur për ju”, tha Nikolla.

Procedurën për shkarkimin e Lindita Nikollës e nisi Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Grupi i PD-së bëri të ditur se procedura u nis “për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit.”

Ajo pjesë e Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj i cili kryeson edhe Grupin Parlamentar, akuzoi kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se e mbylli seancën plenare të 26 janarit për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama. Kërkesa për shkarkimin e Nikollës u firmos nga 28 deputetë të opozitës, mes të cilëve u bashkuan edhe katër deputetë nga grupimi i kryedemokratit Sali Berisha.

SHKARKO APP