Opozita konfirmon pjesëmarrjen në Këshillin Politik

Opozita e Bashakuar konfirmon pjesëmarrjen në Këshillin Politik, por pa caktuar një datë të mbledhjes.

Përgjigja e përfaqësuesve të opozitës që konfirmon pjesëmarrjen në Këshillin Politik

I nderuar koleg,

Në emër të opozitës, mirëpresim reflektimin tuaj për të vijuar diskutimin dhe vendimmarrjen konsensuale në Këshillin Politik për çdo çështje lidhur me zgjedhjet, siç kemi rënë dakord me shkrim në Marrëveshjen Politike të 14 Janarit dhe Dakordësinë e 5 Qershorit.

Paraprakisht ju konfirmojmë se dokumenti i depozituar nga një grup deputetësh të mazhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në Tryezën e Këshillit Politik (siç ju rikonfirmoni me e-mail më sipër) duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, dhe për këtë arsye, nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty.

Për çdo çështje tjetër, ne jemi të gatshëm, në orën e caktuar nga ana juaj, si të hënë ashtu edhe të martën, pa patur një preferencë për këtë. Presim konfirmimin tuaj për ditën që ju preferoni, duke shprehur gatishmërinë tonë për pjesëmarrjen në atë mbledhje.

Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi.

Mbetemi në pritje të konfirmimit të ditës nga ana juaj,

Me respekt,
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili

SHKARKO APP