Opozita proteston sërish para bashkisë së Tiranës
Opozita ka protestuar sërish ditën e sotme para bashkisë së Tiranës, për të kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kanë folur para mbështetësve të opozitës, Klevis Balliu, Tedi Blushi, Dorjan Teliti dhe Belind Këlliçi.
“Nuk ka amnisti për drejtorët që në bashkëpunim kanë gllabëruar 30 mln euro nga taksapaguesit e Tiranës. Nuk ka amnisti për ata që po shkatërrojnë Tiranën çdo ditë e po ndërtojnë kulla për miqtë e tyre oligarkë. Nuk ka amnisti për ata që taksat e Tiranës nuk i kthyen në shërbime por i vodhën“, ka thënë Dorjan Teliti.
“Kemi të bëjmë me një narko-shtet që bazohet mbi terror e vjedhje. Koha që të marrim në dorë fatet tona, ta arrestojmë ne Veliaj e ta çojmë në burg. Vendi i tij në Sharrë, në landfillin e Sharrës aty ku ngriti mbretërinë e tij”, tha Tedi Blushi para mbështësve të opozitës.
“I kemi dërguar SPAK-ut 10 pyetje për inceneratorin e Tiranës.
SPAK lëshoi 8 masa, ku pati zero arrestime. Nuk ka qytetar që nuk e di se ata kanë ikur jashtë vendit. Masat u vonuan qëllimisht për t’i dhënë kohë grupit të largohen nga vendi.
Ne nuk do të ndalim. Standardin e vendosur me luftën kundër opozitës ne nuk e pranojmë. Korrupsionin nuk e bën opozita por qeveria.
Nga java tjetër do të fillojmë denoncimet para godinës së SPAK”, tha Belind Këliçi.
Protesta u mbyll qetësisht, në ndryshim nga protestat e tjera, nuk kishte tensione të forta dhe as fishekzjarre apo molotov në tubim.
KOHA JONË SONDAZH

