Opozita rrezikon të mos regjistrohet në 14 maj? Rama: Do futen si çeço
Kryeministri Edi Rama tha se asnjë parti politike nuk rrezikon që të mos regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit, referuar këtu Partisë Demokratike e cila vijon luftën e saj të brendshme, kësaj here në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Rama tha se të gjitha partitë politike “do të futen në zgjedhje si çeço”, duke thënë se një gjë e tillë bëhet për njerëzit.
“Mua nuk më rezulton që do ketë ndonjë parti që nuk do të hyjë në zgjedhje, me rezulton e kundërta, të gjithë do hyjnë dhe do hyjnë si çeço, sepse në zgjedhje nuk hyhet për njërin apo për tjetrin, por për qytetarët”, tha Rama.
Ai u pyet edhe në lidhje me gjyqin për vulën e PD-së, por zgjodhi të mos bëjë komente. “Ju e dini mirë që nuk flas në prani të miqve që vijnë nga jashtë për problemet e politikës së brendshme”, deklaroi ai.