Organizata amerikane: Shqipëria në paralizë politike

Organizata amerikane Freedom House ka publikuar dje raportin vjetor për lirinë dhe demokracinë. Dokumenti që vlerëson zhvillimet e demokracisë në Shqipëri thotë se për vitin 2019 Shqipëria shënoi hapa pas në demokraci. Në renditjen e 195 vendeve, Shqipëria ndodhet ketë vit në vend të 67 nga vendi 68 që ishte një vit më parë. Ndërsa niveli i demokracisë në Kosovës është rritur me dy pikë, nga 54 që ishte në 56. Raporti jep një vlerësim të përgjithshëm për zhvillimet dhe thotë se Shqipëria është në të njëjtin nivel me Serbinë. Ndërsa rritja e standardeve në Kosovë lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në fund të vitit 2019.
Freedom House është një organizatë jo qeveritare në SHBA, por që shumicën e financimeve për studimet dhe analizat e saj i ka nga fondet e qeverisë amerikane. Më shumë se shifrat e raportit që vlerësojnë në mënyrë mekanike zhvillimet në një vend, interesante për Shqipërinë është intervista e dhënë dje në “Zërin e Amerikës” nga Naoah Buyon, koordinator i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë për raportin Freedom in the Ëorld, për përfundimet e raportit për Ballkanin. Zyrtari i Freedom House thonë në mënyrë të qartë edhe disa gjëra që nuk janë detajuar në raport. Kështu, vitin 2019 me djegie mandatesh nga opozita, zgjedhje me një parti dhe ligje të ashpra kundër medias, përfaqësuesi i Freedom House e përmbledh me një fjali, duke thënë se Shqipëria është në paralizë politike. “Pavarësisht nga përkatësia partiake në Shqipëri, është e qartë që vitin e kaluar pati një paralizë politike dhe në fund të fundit kjo nuk u shërben qytetarëve të Shqipërisë”,- Naoah Buyon. Shqetësimi kryesor i hartuesve të raportit të Freedom House për Shqipërinë është fakti se tashmë çdo pushtet po përqendrohet në një dorë të vetme. “Opozita doli nga parlamenti, e bojkotoi dhe dorëzoi mandatet. Në këto kushte zgjedhjet lokale u mbajtën nën hijen e këtij zhvillimi në qershor, të cilat opozita i bojkotoi duke sjellë si rezultat fitoren e partisë në pushtet në një numër bashkish dhe komunash në gjithë vendin. Si rezultat i këtyre prirjeve, efektivisht është vetëm një parti politike që drejton vendin dhe ne jemi të shqetësuar se kjo do të kufizojë aftësinë që legjislacione të debatueshme, si paketa anti-shpifje që të shqyrtohen dhe sfidohen ashtu siç duhet”, thotë përfaqësuesi i Freedom House. Një tjetër shqetësim i Freedom House për zhvillimet në Shqipëri është dhe komisioni hetimor i qeverisë kundër Presidentit Ilir Meta. “Shifrat në kategoritë e tjera nuk pësuan rënie, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi shqetësime lidhur me zhvillimet në vend. Po ndjekim me shumë kujdes ecurinë e paketës së ligjeve të ashtuajtur anti-shpifje. Po ashtu po presim të shohim se si do të shkojë procedura e nisur për shkarkimin e presidentit. Ka shqetësime që kjo procedurë mund të bëhet në mënyrë të politizuar”,- thotë Naoah Buyon për “Zërin e Amerikës”. Kritika të forta ndaj qeverisë ka dhe për luftën kundër korrupsionit. Përfaqësuesi i Freedom House thotë se gjyqet në Shqipëri për raste korrupsioni të profilit të lartë, bëhen për arsye politike dhe jo për të vënë drejtësinë në vend. “Korrupsioni si në nivele të larta, edhe të ulëta shpesh nuk hetohet dhe nuk ndiqet penalisht. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një sfidë e përhapur, pra nuk po shohim atë nivel përparimi që duam të shohim për këto çështje”,- thotë ai.
Deklaratat e përfaqësuesit të Freedom House janë mjaft të rënda dhe pasqyrojnë në mënyrë shumicën e problemeve që ka sot Shqipëri; korrupsioni, pushtetin në dorë të një partie dhe luftën politike ndaj institucioneve, siç është rasti i përplasjes qeveri-presidencë. Pasi lexon në “Zërin e Amerikës” raportin dhe vlerësimin masakrues për zhvillimet në Shqipëri, vihet re se ka një diferencë të frikshme mes qëndrimeve të ndërkombëtarëve dhe raporteve ndërkombëtare. Ambasadorët në Tiranë flasin për suksese të jashtëzakonshme të qeverise dhe zgjedhje demokratike. Ndërkohë që këto deklarata duket se janë vetëm për konsum publik në Tiranë, sepse dokumentet ndërkombëtare thonë të kundërtën. Jo vetëm që Shqipëria nuk po bën hapa para, por po shkon keq edhe me keq.
Mili Xhani

SHKARKO APP