OSBE: Mbështetje masave kundër korrupsionit në Shqipëri
Mbështetja e masave kundër korrupsionit në Shqipëri është në qendër të projektit të prezantuar sot, tek Salla e Hartave në Kryeministri.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig u shpreh se sot prezantohet fillimi i një iniciative të re kundër korrupsionit, inisiativë kjo e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, që do të sigurojë mbështetje të mëtejshme të përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera në luftën kundër korrupsionit.
“Siç u pranua në forumin që u mbajt javën e kaluar kundër korrupsionit, Shqipëria duhet të marrë masa më të thella, të qëndrueshme dhe të harmonizuara në luftën kundër korrupsionit. Ne të gjithë e dimë se korrupsioni nuk mund të luftohet nga një institucion i vetëm. Nevojitet angazhim politik, bashkëpunim dhe ndërveprim ndërmjet një game të gjerë aktorësh, si qeveria, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit, për të luftuar korrupsionin në sektorin publik”, tha Raunig.
Duke ditur ndikimin e qartë të korrupsionit në sigurinë ekonomike dhe sociale dhe në stabilitetin afatgjatë të një vendi, vijoi Raunig, “lufta kundër korrupsionit është prioritet për Prezencën e OSBE-së”.
“Që nga viti 2007, ne kemi mbështetur aktivisht qeverinë, institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile për të zbatuar parime dhe qasje të mira në qeverisje, si një mënyrë për të luftuar korrupsionin. Projekti i prezantuar sot mbështetet financiarisht nga qeveria italiane, përmes Kooperacionit Italian për Zhvillim, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës Kombëtare të Administratës Publike të Italisë”, u shpreh ambasadori i OSBE-së.
Sipas tij, “projekti do të jetë pjesë përbërëse e ndërhyrjeve shumë-dimensionale të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit. Ai do të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe gjithëpërfshirëse Kundër Korrupsionit dhe të Planit të Veprimit”.
Projekti, tha Raunig, “do të bazohet në tre shtylla kryesore veprimi: Së pari, përmirësimi i kapacitetit të administratës publike. Së dyti, rritja e angazhimit të sektorit privat. Dhe së treti, kontribut për të ndryshuar perceptimet në lidhje me korrupsionin, veçanërisht ndërmjet të rinjve”.
KOHA JONË SONDAZH

