OSBE: Ndryshim rrënjësor gjyqësorit dhe luftë korrupsionit të përhapur
OSBE-ja, bashkë me shumë organizata ndërkombëtare dhe qeveri të huaja, ka mbështetur propozimin për reformimin e sistemit të drejtësisë që lëngon nga korrupsioni. Kreu i OSBE, Raunig beson se reforma është një mundësi ideale për të riformësuar rrënjësisht sistemin gjyqësor shqiptar, në mënyrë ai t’u shërbejë më mirë qytetarëve dhe të luftojë korrupsionin e përhapur.
“Paketa e plotë e reformës u përgatit nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë dhe u vlerësua nga Komisioni i Venecias [i Këshillit të Evropës]. Tani, i takon politikës shqiptare që të ndërmarrë hapin e radhës: të arrijë marrëveshje për t’i hapur rrugë fazës së zbatimit”, tha ai.
Raunig beson se zbatimi i reformës me aktet e reja normative, procedurat, sistemet e menaxhimit, kriteret e rekrutimit dhe trajnimin e plotë të stafit është thelbësor.
“Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformës. Ajo ecën paralelisht me ndryshimin e sjelljes: krijimin e kulturës së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, luftën ndaj pandëshkueshmërisë dhe konsolidimin e respektit për shtetin e së drejtës në të gjitha shtresat e shoqërisë”, tha ambasadori.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po punon me disa programe në sektorin e drejtësisë, siç janë zhvillimi i Shërbimit të Provës për të mundësuar reformën e sistemit të burgjeve dhe programi Drejtësi pa Vonesa, i cili ka rritur efikasitetin e procedurave gjyqësore, për të ofruar qasje më të mirë në drejtësi, veçanërisht për qytetarët e thjeshtë.
Prezenca po ndihmon Shqipërinë në reformën e decentralizimit. Vitin e kaluar, vendi përfundoi riorganizimin e strukturës së qeverisjes vendore, duke krijuar 61 bashki të reja pas shkrirjes së 373 njësive më të vogla. Qëllimi ishte të decentralizohej pushteti dhe të rritej llogaridhënia në nivel vendor.
“Kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te cilësia e jetës së qytetarëve,” tha Raunig.
Por procesi i decentralizimit nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e legjislacionit, paralajmëroi Raunig – nevojiten, gjithashtu, burime financiare dhe njerëzore që pushteti vendor të ofrojë shërbimet që u duhen qytetarëve.
BIRN
KOHA JONË SONDAZH

