PAA: Qëndrimet inatçore të Ramës ndaj BE-së, dëmtojnë dhe vonojnë Integrimin

Partia Agrare Ambientaliste, thotë se qëndrimet inatçore të kryeministrit Edi Ramës ndaj BE-së, e cila ka kritikuar qeverinë për lidhjen me krimin, po dëmtojnë dhe vonojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PAA thekson se plotësimi i kushteve të BE-së për çeljen e negociatave vazhdon të zvarritet, çka për ta konstatohet edhe nga mos garantimi i frymës gjithë përfshirëse të marrëveshjes së 5 qershorit. ”Pavarësisht demagogjisë nacionaliste, vonesave dhe pengesave të Ramës, angazhimi kontributiv në aleancën euro-atlantike dhe integrimi i plotë në këto aleanca mbetet një prioritet i përhershëm i kombit shqiptar”.

Deklarata e plotë

Qëndrimet inatçore të Ramës ndaj BE-së për kritikat e saj për keq-qeverisjen e vendit, lidhjen e politikës me krimin, dëmtimin rëndë të demokracisë funksionale dhe prekjen e qeverisë së tij nga korrupsioni dhe kapja e shtetit po dëmtojnë dhe vonojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Plotësimi i Kushteve të BE-së për çeljen e negociatave vazhdon të zvarritet çka konstatohet edhe nga mos-garantimi i frymës gjithë-përfshirëse të Marrëveshjes së 5 Qershorit 2020 në ndryshimet në kuadrin ligjor për zgjedhjet. Këto ndryshime nuk u konsideruan prioritare as nga Rama dhe as nga Kuvendi i Shqipërisë në sesionin e ri të Kuvendit të Shqipërisë.

Rama kërkon të mbulojë padijen, papërgjegjshmërinë, lidhjen me krimin, arrogancën dhe babëzinë e tij qeverisëse me retorikë nacionaliste. Jo vetëm Shqipëria por çdo vend i Ballkanit Perëndimor dhe gjithë rajoni në tërësi, mund të reduktojnë dhe eliminojnë risqet e rritjes së ndjenjave nacionaliste, radikale dhe ekstremiste në ringjallje vetëm duke:

(i) garantuar integrimin euro-europian;
(ii) demokracinë funksionale;
(iii) shtetin e të drejtës dhe
(iv) dinjitetin ekonomik të shqiptarëve

Pavarësisht demagogjisë nacionaliste, vonesave dhe pengesave të Ramës, angazhimi kontributiv në aleancën euro-atlantike dhe integrimi i plotë në këto aleanca mbetet një prioritet i përhershëm i kombit shqiptar.

SHKARKO APP