Padia e LSI në Kushtetuese, Braimllari: Bashkitë po kthehen në prona private
Një tjetër padi për pushtetin vendor është depozituar nga LSI-ja në Gjykatën Kushtetuese, kjo për të shfuqizuar ndryshimet, pasi i cilësojnë si anti-kushtetuese.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, në një deklaratë për mediat, tha se mazhoranca në funksion të rrëmbimit të pronës publike, i hoqi fuqinë e votës së cilësuar Këshillave Bashkiakë për çështje të rëndësishme të interesit publik, duke e zëvendësuar atë me votim të thjeshtë.
Për të LSI-ja do të vazhdojë aksionin në mbrojtje të interesit publik. Braimllari paralajmëroi se kjo nuk do të jetë çështja e vetme që LSI-ja do të çojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Mazhoranca në funksion të rrëmbimit të pronës publike, i hoqi fuqinë e votës së cilësuar Këshillave Bashkiakë për çështje të rëndësishme të interesit publik, duke e zëvendësuar atë me votim të thjeshtë.
Ky ligj u miratua po nga rilindja për t’i dhënë fuqinë e votës së cilësuar Këshillave Bashkiakë, si garanci për të shmangur abuzimet, për të përmirësuar vendimmarrjen si një mënyrë kontrolli dhe transparence për çështje me interes të madh publik duhej marrë vota e cilësuar, si një votë e cila përfaqëson vullnetin e pjesës më të madhe të qytetarëve.
Ky ndryshim rrit abuzimin e kryetarëve të bashkive duke i kthyer bashkitë në prona private, si në rastin e teatrit kombëtar por dhe prona të tjera në të gjitha bashkitë e vendit të cilat po i jepen klientëve të qeverisë”.